Filmi i shkurtër “Heroi i Shkretëtirës/Hero of the Desert” me skenar dhe regji te Lorena Sopit, do të shfaqet premierë evropiane në programin zyrtar, pikërisht në edicionin e 76-të të ‘International Film Festival of Salerno’ i cili mbahet nga data 23 nëntor deri me 03 dhjetor të këtij viti.
Festivali dhjetëditor i cili këtë vit pretendon të mbledh më shumë se 30.000 spekator, është një ndër festivalet më të mëdha dhe më të vjetrit në Evropë. Festivali i krijuar në vitin e parë të pasluftës së Dytë Botërore ishte themeluar nga ikonat e filmit Italian si Vittorio De Sica, Ignazio Rossi, Matteo Della Corte dhe Achille Guglielmi.
Edicioni i parë i këtij festivali është mbajtur në vitin 1946 në Spitalin e Salernos, e vetmja godinë e shpëtuar pa dëmtuar nga Lufta e Dytë Botërore. Që nga atëherë nëpër këtë festival kanë kaluar pothuajse të gjithë emrat e mëdhenj të kinematografisë italiane dhe asaj botërore.
Filmi Heroi i Shkretëtirës gjatë këtij muaji do të shfaqet edhe në ‘Ekurhuleni International Film Festival’ në Afrikën e Jugut, pastaj në ‘London Movie Film Festival’ në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë muajit dhjetor, ai do shfaqet në ‘The Balkans Beyond Borders Short Film Festival’ në Athinë, në ‘Directors Circle Festival of Shorts’ në SHBA, ‘Teknochat Film Festival’ në Barcelonë, etj.
“Gjithçka që doni në jetën tuaj papritmas mund të humbet, por në fund, dashuria do të kthehet në një mënyrë tjetër.” Mbi këtë linje logjike ndërtohet filmi 25 minutash ‘Heroi i shkretëtirës’ i cili trajton dashurinë e pamundshme, humbjen dhe vetminë. Nga njëra anë, përcaktimin e fatit përbrenda kornizave dhe paragjykimeve tradicionale, kurse nga ana tjetër, tendenca e njeriut patriarkal për të dalë nga ‘kështjella e ngurtë e traditës’ dhe për të ndjekur rrjedhën e jetës moderne urbane.
Veçoritë substanciale të filmit ‘Heroi i Shkretëtirës’ përkufizojnë formën unike dhe shndërrohen në stil individual të krijuar nga ballafaqimi i rrënimit, heshtjes dhe dashurisë.
‘Heroi i Shkretëtirës’ është prodhuar nga AS Film, me Lorena Sopi si skenariste dhe regjisore. Në rolet kryesore shfaqen Vjosa Tasholli, Mikel Markaj, Dibran Tahiri, Jehona Gashi, e te tjerë.