Historia pritet të shkruhet të mërkurën mbrëma kur fillon Kampionati Evropian i hendbollit. Dy ndeshjet hapëse të Evropianit të hendbollistëve pritet të zhvillohen para 53 mijë shikuesve në “MERKUR Spiel-Arena” në Duesseldorf. Numri i shikuesve pritet të jetë rekord për ndeshje të hendbollit.
Ndeshjet e para të Evropianit të hendbollit do të luhen në stadiumin e futbollit që e shfrytëzon Fortuna Duesseldorfi. Bëhet fjalë për një stadium modern që mund të mbyllet plotësisht, shkruan koha.
Ndeshja e parë e Evropianit të hendbollit është ajo mes Francës dhe Maqedonisë së Veriut, që zhvillohet nga ora 18:00. Prej orës 20:00 është ceremonia hapëse e kampionatit, ndërsa stadiumi pritet të mbushet sidomos për ndeshjen Gjermania – Zvicra, që zhvillohet prej orës 20:45. Ndeshjet i takojnë grupit A.
Ndeshjet e tjera janë ditëve të ardhshme. Në grupin B janë Spanja, Austria, Kroacia e Rumania.Grupi C përbëhet nga Islanda, Hungaria, Serbia dhe Mali i Zi. Në grupin D garojnë Norvegjia, Sllovenia, Polonia e Ishujt Faroe, ndërsa në grupin E kalimin tutje e kërkojnë Suedia, Holanda, Bosnjë-Hercegovina dhe Gjeorgjia. Grupi F përbëhet nga Danimarka, Portugalia, Çekia dhe Greqia. Pra janë 24 përfaqësuese të ndara në gjashtë grupe. Në Evropian debutojnë Ishujt Faroe, Greqia dhe Gjeorgjia.
“Euro 2024” pritet të jetë madhështor edhe për faktin se zhvillohet në Gjermani. Gjermania vlerësohet se ka numër të madh tifozësh të hendbollit, ndërsa sidomos faza finale e turneut pritet të jetë interesante dhe me shikueshmëri të madhe.
Finalja do të zhvillohet më 28 janar në sallën ikonike të hendbollit, “Lanxess Arena” në Koeln.
Ky është Evropiani i 16-të i hendbollit, ndërsa sipas EHF-së, pritet të shikohet nga miliona njerëz nëpër botë. Kampione në fuqi është Suedia, që dy vjet më parë në finale e mposhti Spanjën.
Me pesë tituj, Suedia është përfaqësuesja më e suksesshme. Franca i ka tre tituj, ndërsa Spanja, Danimarka e Gjermania nga dy./Katror.info