Policia e Kosovës ka pritur sot në një takim zyrtar atasheun e ri Ligjor të FBI-së për Kosovën, Brendan Collins, i cili e ushtron mandatin e tij nga selia në Sofje të Bullgarisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, mirëpriti Collinsin në ambientet e Policisë së Kosovës, duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në pozitën e tij të re.
Në këtë vizitë, Collins shoqërohej nga bashkëpunëtorë të FBI-së si dhe nga përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
“Gjatë takimit, palët diskutuan për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe FBI-së, me fokus të veçantë në fushën e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Hoxha theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve ka qenë gjithmonë i ngushtë dhe efektiv, duke prodhuar rezultate konkrete në terren.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar partneritetet ndërkombëtare, me qëllim rritjen e sigurisë për qytetarët tanë. Bashkëpunimi me FBI-në është një prej shtyllave të rëndësishme në këtë drejtim”, deklaroi ai.
Në fund të takimit, të dy palët ritheksuan vullnetin për vazhdimësinë e një partneriteti të fortë dhe për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të përbashkët. /Katror.info