Lëvizja Beat ishte një lëvizje sociale dhe letrare amerikane, e cila filloi në vitet 1950 në komunitetet boheme të artistëve në San Francisko, Los Anxhelos dhe në Greenwich Village të Nju Jorkut. Adhuruesit e saj, të vetëshpallur si “beat” (fillimisht me kuptimin “i lodhur”, por më vonë duke nënkuptuar edhe një ndjenjë muzikore, një spiritualitet “të lumtur” dhe kuptime të tjera), të quajtur me tallje “beatnikë”, shprehën distancimin e tyre nga shoqëria konvencionale ose “katrore”, duke adoptuar një stil veshjeje, sjelljeje dhe fjalori “modern”, të huazuar nga muzikantët e xhazit.
Ata mbështetën çlirimin personal, pastrimin dhe ndriçimin përmes vetëdijes së rritur shqisore, që mund të nxitej nga drogat, xhazi, seksi ose disiplinat e budizmit Zen. Beat-ët dhe përkrahësit e tyre e konsideronin mungesën e gëzimit dhe të qëllimit në shoqërinë moderne si një arsye të mjaftueshme për tërheqje dhe protestë.

Poetët e stilit Beat synonin ta shndërronin poezinë në një shprehje të përvojës së vërtetë të jetuar. Ata e lexonin veprën e tyre shpesh të shoqëruar nga xhazi progresiv. Vargjet ishin zakonisht kaotike dhe të mbushura lirshëm me fjalë të turpshme dhe referenca të sinqerta ndaj seksit – të gjitha këto të menduara për të çliruar poezinë nga preciziteti i akademizmit. Ulërima e Allen Ginsbergut u bë shprehja më përfaqësuese poetike e lëvizjes Beat. Ginsbergu, bashkë me figura të tjera të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, si romancieri Jack Kerouac, mbështetën një mënyrë të lirë dhe të pastrukturuar të shkrimit, në të cilën autori i jepte formë mendimeve dhe ndjenjave pa plan apo rishikim, me qëllim që të përcillte përvojën e atypëratyshme.
Rreth vitit 1960, lëvizja Beat, si një modë, kishte filluar të zbehej, megjithatë eksperimentet e saj me formën dhe angazhimin shoqëror vazhduan dhe patën ndikim afatgjatë. Kjo lëvizje solli një numër shkrimtarësh të rëndësishëm. Beat-ët hapën rrugën për një pranim më të gjerë të shkrimtarëve të tjerë joortodoksë dhe më parë të injoruar, siç ishte romancieri William S. Burroughs.
Veprat e Jack Kerouac, Allen Ginsberg dhe William S. Burroughs rezultuan të jenë shumë ndikuese mbi muzikantët në ngritje të asaj kohe. Këngëtarët dhe grupet muzikore u lidhën me idealet e lëvizjes Beat, të cilat shumica e publikut i konsideronte jo morale, gjatë viteve 60, kur muzika rock and roll po përhapej në mbarë botën. Ndikimi i Beats dëgjohet në muzikën e Bob Dylan-it, në këngët e tij të hershme, të njohura si këngë “proteste.”
Anëtarët e grupit Grateful Dead njiheshin me Neal Cassady, një hero i Brezit Beat, dhe u frymëzuan nga historitë e Cassady-t, të cilat më vonë i kthyen në këngë të tyre. Shumë nga koncertet live të Grateful Dead bazoheshin në një spontanitet që anëtarët e Brezit Beat do ta kishin aprovuar; ato shpesh shndërroheshin në sesione të gjata improvizimi.
The Doors dhe Velvet Underground nuk ishin aq afër shkrimtarëve kryesorë të Brezit Beat, por muzika e tyre përsëri u ndikua shumë nga veprat e tyre. Ray Manzarek, organisti i The Doors, njëherë tha se: “Nëse Jack Kerouac nuk do të kishte shkruar ‘On the Road’, The Doors nuk do të kishin ekzistuar.” Jim Morrison ishte dakord me këtë deklaratë, duke cituar Kerouac si një ndikim të madh. Tekstet dhe poezitë e tij synonin shpesh të hapnin mendjet e dëgjuesve ndaj përvojave dhe mënyrave të reja të të menduarit.

Shkrimtarët e asaj periudhe kontribuuan shumë në atë që do të bëhej lëvizja kundërkulture e viteve ’60, e cila do të ishte një nga periudhat më të rëndësishme muzikore në histori. Kjo periudhë ndikoi po ashtu edhe në krijimin e lëvizjes Hipi dhe më vonë edhe të Punkut.
“On the Road” nga Jack Kerouac është një klasik amerikan, një roman dhe një kronikë autobiografike e aventurave të Kerouac-ut duke bërë autostop nëpër vend me miqtë e tij shkrimtarë: Neal Cassady (i njohur si Dean Moriarty), Allen Ginsberg (Carlo Marx) dhe William S. Burroughs (Old Bull Lee). I mbushur me seks të rastësishëm, drogë, alkool, poezi, xhaz dhe eksplorim të pafund, “On the Road” paraqet një portret të gjithanshëm të Amerikës së viteve 1950 dhe ka arritur të përkufizojë Gjeneratën Beat: të papërshtatshmit e pas luftës, bohemët e zhgënjyer… ata që mbështesnin spontanitetin, psikodelikët dhe udhëtimin, jo destinacionin.
“On the Road” është një himn — një odë beatnike për lirinë, për dëshirën për të shëtitur, për kërkimin e “asaj” — çfarëdo qoftë “ajo”: autenticiteti, qëllimi, ideali amerikan. Ndikimi i romanit në letërsi dhe në shkrim është studiuar gjerësisht, por “On the Road” ka ndikuar gjithashtu edhe në muzikë dhe te muzikantë të veçantë — madje më shumë sesa mund të imagjinohet — dhe ka frymëzuar një mori këngësh që përputhen me mesazhin e tij. Grupi 10,000 Maniacs e këndojnë këngën “Hey Jack Kerouac.”
Natalie Merchant, këngëtarja kryesore dhe autorja kryesore e teksteve të grupit, e ka shkruar këtë këngë me tone folklorike, duke derdhur në të mendimet dhe zhgënjimet e saj për Kerouac-un dhe Beatnikët e tjerë—si Ginsberg dhe Burroughs. Ajo i këndon drejtpërdrejt Kerouac-ut, i cili është njëkohësisht “ylli më i ndritshëm” dhe një “djalosh i humbur në botën tonë plot urrejtje.”
Ajo njeh “tronditjen e mbuluar me lot të botës” që ndodhi kur ai “u largua pa thënë lamtumirë.” Kjo linjë i referohet vdekjes së hershme të Kerouac-ut, të shkaktuar nga alkoolizmi i tij i tepruar, por flet gjithashtu për zhdukjen e brezit Beat. Thirrja e tyre për të paketuar gjithçka dhe për të udhëtuar—për të shkelur në rrugë dhe për të parë se ku të çon ajo, për të qëndruar përballë boshllëkut të horizontit të ashpër të kuq që ndiqnin—u zbeh pothuajse tërësisht kur lëvizjet kundërkulturore dhe për të drejtat civile të viteve ’60 dhe ’70 morën hov.
Edhe shumë artistë të tjerë e kanë adhuruar Kerouac-un dhe gjeneratën Beat, ose të paktën janë ndikuar dukshëm nga mesazhi i tyre në kulmin e tij: John Lennon-in (emri “Beatles” rrjedh nga fjala “Beat!”), një adhurues i madh i shkrimeve të Kerouac-ut dhe Allen Ginsberg-ut; Bob Dylan-in—të cilit On the Road “ia ndryshoi jetën… ia shpërtheu mendjen.” Ky ndikim duket qartë në këngët e Dylan-it, si “On the Road Again” (titull që i bën jehonë romanit të Kerouac-ut), apo “Desolation Row” (Rreshti i shkretimit) e frymëzuar nga një tjetër vepër e Kerouac-ut, “Desolation Angels”, (Engjëjt e Shkretimit) dhe poezitë urbane të Allen Ginsberg-ut).
Bob Dylan, Joni Mitchel, Jim Morrison, Patti Smith, Bruce Springsteen, Grateful Dead… dhe lista vazhdon. Himni i Kerouac-ut për liri, transcendencë dhe eksplorim përkthehet në mënyrë të mrekullueshme në muzikë—art që vetë lufton të jetë i lirë, të mishërojë lirinë, të ofrojë arratisje të pavetëdijshme. Aspektet e tematikës së tij mund të tingëllojnë të vjetruara sot, por është pikërisht ky identitet i përbashkët që bën që ndikimi i Kerouac-ut të mbetet gjithmonë në rezonancë me kohën.
Jack Kerouac është lidhja e përbashkët që lidh Dylan, Springsteen, Mitchell dhe shumë artistë të tjerë të muzikës që trashëgimia e tyre filloi gjatë jetës së tij ose lulëzoi pas tij. “Kerouac On Record: A Literary Soundtrack”, i redaktuar nga Simon Warner dhe Jim Sampas, është një përmbledhje e fuqishme dhe gjithëpërfshirëse e studimeve akademike që nxjerr në pah lidhjen mes Kerouacit dhe muzikës që ai donte, si xhazi bop i Charlie Parker dhe Lee Konitz, apo vokalet e Chet Baker-it dhe mjeshtëria e Miles Davis në stilin e xhazit cool, dhe muzikës që ai ndoshta nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se do të pasonte pas tij. Kerouac jetoi deri në tetor të vitit 1969, kur vdiq në moshën 47-vjeçare, dhe në mënyra që maten në kategori shumë më të thella sesa vetëm shëndeti.
Jack Kerouac, i lindur më 12 mars 1922 në Lowell, Massachusetts, SHBA, ishte romancier amerikan, poet dhe udhëheqës i lëvizjes Beat. Ai pati ndikim të gjerë kulturor përpara se të njihej për meritat e tij letrare. Në romanin “On the Road” (Në rrugë), Kerouac kapi shpirtin e kohës së tij si asnjë vepër tjetër e shekullit XX, që nga “The Great Gatsby” (1925) i F. Scott Fitzgerald.
Lowell, Massachusetts, një qytet mullinjsh, kishte një popullsi të madhe franko-kanadeze. Kerouac ndiqte një shkollë franko-kanadeze në mëngjes dhe vazhdonte studimet në anglisht pasditeve. Ai fliste joual, një dialekt kanadez i frëngjishtes, dhe për këtë arsye, megjithëse ishte amerikan, e perceptonte vendin e tij si një i huaj.
Më vonë, Kerouac ndoqi shkollën Horace Mann, një shkollë përgatitore në New York City, me një bursë futbolli. Aty ai u njoh edhe me xhazin. Në vitin 1940, Kerouac u regjistrua në Universitetin e Kolumbias, ku takoi dy shkrimtarë që do të bëheshin miq të përjetshëm: Allen Ginsberg dhe William S. Burroughs. Së bashku me Kerouac, ata u bënë figurat themelore të lëvizjes letrare Beat, një term që iu prezantua Kerouac-ut nga Herbert Huncke, një i varur nga droga nga Times Square, hajdut i vogël, mashtrues dhe gjithashtu shkrimtar.

Termi Beat nënkuptonte si “i rrënuar”, ashtu edhe “i ndriçuar”, dhe për këtë arsye përfshinte një kuptim të dyfishtë: fundin e ekzistencës (nga një këndvështrim financiar dhe emocional), si dhe një nivel më të lartë, më shpirtëror. Në kohën kur Kerouac dhe Burroughs u takuan, në vitin 1944, Kerouac kishte shkruar tashmë një milion fjalë.
Kerouac dhe Burroughs bashkëpunuan në një romanizim të ngjarjeve, “And the Hippos Were Boiled in Their Tanks”, (Dhe Hipopotamët u zien në tanket e tyre). Libri mbeti i pabotuar deri në vitin 2008. Po atë vit, Kerouac shkroi gjithashtu një novelë – një roman për fëmijërinë e tij në Massachusetts. Megjithatë, ai e la të papërfunduar dhe më pas humbi dorëshkrimin, i cili përfundimisht u shit në ankand për gati 100.000 dollarë, në vitin 2002, pasi ishte zbuluar vite më parë në një konvikt të Universitetit të Kolumbias. U botua, së bashku me disa nga shënimet e Kerouac mbi librin dhe disa letra drejtuar babait të tij, si “The Haunted Life, and Other Writings” (Jeta e fantazmave dhe shkrime të tjera) në vitin 2014.
Kjo novelë ishte vetëm një shprehje e ambicies së hershme të Kerouac për të shkruar “romanin e madh amerikan”. Romani i tij i parë i botuar, “The Town” & the City (Qyteti dhe qyteti) (1950), mori kritika pozitive, por u konsiderua si derivat i romaneve të Thomas Wolfe, si “Time and the River” (Koha dhe lumi) (1935) dhe “You Can’t Go Home Again” (Nuk mund të shkosh më në shtëpi, 1940), të cilat ishin të njohura në atë kohë.
Në romanet e tij, Kerouac artikuloi “Vizionin e Ri”, se “gjithçka po shembej” – një temë që do të dominonte planin e tij të madh për ta përmbledhur të gjithë veprën e tij si “një libër i madh:” Fduluz Legend, (Legjenda e Duluozit) që i referohet vëllimit të gjerë të veprave autobiografike të Jack Kerouac, të cilat ai i konceptoi si një rrëfim të vetëm dhe gjithëpërfshirës. Kerouac, i cili përvetësoi alter egon Jack Duluoz për veprat e tij letrare, synonte t’i lidhë të gjitha shkrimet e tij nën këtë “legjendë” të unifikuar.
Megjithatë, Kerouac ishte i pakënaqur me ritmin e prozës së tij. Muzika e artistëve të xhazit bebop, si Thelonious Monk dhe Charlie Parker, filloi ta shtynte atë drejt “prozodisë spontane bop”, siç e quajti më vonë Ginsberg. Kjo qasje mori formë në fund të viteve 1940 përmes drafteve të ndryshme të romanit të tij të dytë, “On the Road” ( Në rrugë).
Dorëshkrimi origjinal – një rrotull i shkruar për tre javë në vitin 1951 – është legjendar: i përbërë nga afërsisht 37 metra letër të ngjitur me shirit ngjitës dhe i futur në një makinë shkrimi manuale, rrotulla i lejoi Kerouac ritmin e shpejtë që ai dëshironte. Ai gjithashtu shpresonte ta botonte romanin si rrotull, në mënyrë që lexuesi të mos shqetësohej nga kthimi i faqeve të një libri. I refuzuar fillimisht për botim, më në fund u botua si libër në vitin 1957. The New York Times” e përshëndeti botimin e librit si “shfaqja më e bukur artistikisht, më e qartë dhe më e rëndësishme që është bërë deri tani nga brezi beat.
Ndërkohë, Kerouac shkroi disa romane të tjera “të jetës së vërtetë”, ndër të cilët “Doctor Sax” (1959), “Maggie Cassidy” (1959) dhe Tristessa (1960).
Ndërsa vazhdonte të eksperimentonte me stilin e tij të prozës, Kerouac gjithashtu përforconte statusin e tij mes shkrimtarëve Beat si një poet i shquar. Me sonetet dhe odet e tij ai përshkoi traditat perëndimore poetike. Ai gjithashtu eksperimentoi me idioma të blues-it dhe jazz-it në vepra si Mexico City Blues (1959), një poemë e ndarë në sekuenca me 242 kori.
Në vitet 1960, Kerouac kishte përfunduar pjesën më të madhe të shkrimeve për të cilat është më i njohur. Në vitin 1961, ai shkroi “Big Sur” brenda 10 ditësh, ndërsa jetonte në kasollen e Lawrence Ferlinghettit, një poet tjetër i rrymës Beat, në rajonin Big Sur të Kalifornisë. Dy vjet më vonë, rrëfimi i Kerouacit për vdekjen e vëllait të tij u botua si “Visions of Gerard” (Vizionet e Gerarditit). Një tjetër libër i rëndësishëm autobiografik, “Vanity of Duluoz” (Kotësia e Duluozit, 1968), rrëfen histori nga fëmijëria e tij, shkollimi dhe skandalet dramatike që përcaktuan legjendën e hershme të rrymës Beat. Në vitin 1969, Kerouac ishte pa para dhe shumë nga librat e tij nuk botoheshin më. U dha pas alkoolit, ai jetonte me gruan e tij të tretë dhe nënën në Shën Petersburg, Florida. Ai e kalonte kohën në kafene. Një javë pasi ishte rrahur nga pijedashësit e tjerë, të cilët ishin armiqësuar ai vdiq nga një hemorragji e brendshme para televizorit të tij. Fund i pamerituar dhe tragjik për një shkrimtar që u bë i njohur si “mbreti martir i Beats”.
Kerouac vdiq më 21 Tetor 1969. Që atëherë, prestigji i tij letrar është rritur dhe janë botuar disa vepra të papara më parë. Kerouac njihet për stilin e tij të prozës spontane të rrjedhës së vetëdijes. Tematikisht, vepra e tij mbulon tema të tilla si spiritualiteti i tij katolik, xhazi, udhëtimet, shthurja seksuale, budizmi, drogat dhe varfëria. Ai u bë një personazh i famshëm i fshehtë dhe, së bashku me Beats të tjerë, një paraardhës i lëvizjes hipi, megjithëse mbeti antagonist ndaj disa elementëve të saj politikisht radikalë. Ai ka një trashëgimi të qëndrueshme, duke ndikuar në shumë ikona kulturore./Katror.info
Përgatiti:














