Kanadezëve që vizitojnë SHBA-në për më shumë se 30 ditë do t’u kërkohet të regjistrohen tek autoritetet dhe t’u merren shenjat e gishtërinjve, pasi administrata e Donald Trump shtrëngon rregullat e migracionit në mes të tensioneve në rritje midis fqinjëve të Amerikës së Veriut.
Kërkesa e re, që hyn në fuqi nga 11 prilli, do të forcojë zbatimin e një ligji ekzistues, i cili thotë se të gjithë shtetasit e huaj 14 vjeç ose më të vjetër që planifikojnë të qëndrojnë në SHBA për 30 ditë ose më shumë duhet të regjistrohen tek autoritetet, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në praktikë, ky rregull nuk është zbatuar vazhdimisht për kanadezët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit tokësor prej 5,525 miljesh midis dy vendeve.
Në ditën e tij të parë në detyrë në janar, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzon autoritetet amerikane të zbatojnë rregullin.
“Dështimi për t’u respektuar mund të rezultojë në dënime penale dhe civile, deri në ndjekje penale për kundërvajtje, vendosjen e gjobave dhe burgosjen”, thuhej në urdhër.
Ky veprim shënon një përkeqësim të mëtejshëm të lidhjeve midis aleatëve historikë që kur Trump u kthye në pushtet.
Ndërkohë, Trump ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së – një deklaratë që shihet nga disa në veri të kufirit si një kërcënim aneksimi.
Rregulli i ri u publikua në Regjistrin Federal të mërkurën pasi tarifat e reja amerikane prej 25% hynë në fuqi për çelikun dhe aluminin – që shihet gjerësisht si një goditje për Kanadanë, e cila tashmë përballet me një taksë të veçantë prej 25% për mallrat e tjera.
Kanadaja, nga ana tjetër, njoftoi tarifa hakmarrëse mbi importet amerikane me vlerë gati 30 miliardë dollarë.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare vlerëson se nga 2.2 milionë deri në 3.2 milionë njerëz do të preken nga rregullat e reja të regjistrimit të vizitorëve. /Katror.info
Përgatiti:
