Katër studiues nga Kosova morën pjesë në Kongresin e 28-të Botëror të Shkencave Politike të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Shkencave Politike (IPSA), i mbajtur nga data 12 deri më 16 korrik 2025 në Qendrën e Konventave dhe Ekspozitave Coex në Seul, Koreja e Jugut.
Pjesëmarrësit nga Kosova ishin Mehdi Sejdiu nga Universiteti i Heidelbergut, Shpresa Kaciku-Balija nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Jeta Abazi Gashi nga Universiteti i Prishtinës dhe Gentiana Fana nga Universiteti i Zagrebit.
Kongresi u zhvillua në bashkëpunim me Shoqatën Koreane të Shkencave Politike (KPSA) dhe me mbështetjen e plotë të qeverisë së Koresë së Jugut, qytetit të Seulit dhe institucioneve akademike dhe profesionale të vendit pritës.
Me mbi 3,370 pjesëmarrës nga më shumë se 95 vende të botës, ky ishte kongresi më i madh në historinë 76-vjeçare të IPSA. Programi përfshiu 3,053 punime, 776 panele, katër seanca plenare dhe gjashtë sesione ndarjeje çmimesh.
Tema kryesore e kongresit ishte “Rezistenca ndaj Autokratizimit në Shoqëritë e Polarizuara” dhe u trajtua në një sërë sesionesh të dedikuara.
IPSA thekson se 44% e pjesëmarrësve ishin gra, si pjesë e përpjekjeve për përfaqësim dhe përfshirje më të gjerë në shkencat politike./Katror.info