Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se pas ndërprerjes së djeshme të seancës konstituive, është thelbësore që ajo të vazhdojë brenda afatit 48-orësh të përcaktuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit.
KDI thotë se çdo tejkalim i këtij afati do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të rregullores.
“Kryesuesi i seancës konstituive, si autoritet i përkohshëm deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ka obligim të qartë për të garantuar vazhdimësinë e punimeve dhe për të zbatuar pa devijime procedurat e përcaktuara. Rregullorja nuk lejon shtyrje të njëanshme, as nuk parasheh hapësirë për ndërhyrje ose kërkesa për interpretim nga akterë të tjerë institucionalë”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
KDI rikujton se edhe në rast mungese apo refuzimi nga ana e deputetit më të vjetër në moshë për ta drejtuar seancën, Rregullorja parashikon zëvendësimin e tij me deputetët tjerë sipas të njëjtave kritere, për të siguruar që procesi nuk pengohet nga vullneti i një individi të vetëm.
KDI rithekson se pjesëmarrja dhe angazhimi i deputetëve në vazhdimin e seancës është obligim formal e kushtetues, por edhe test politik për seriozitetin e legjislaturës së re.
“Përpjekjet potenciale për ta zvarritur procesin – përfshirë vonesat apo mungesat – janë të papranueshme dhe në kundërshtim me mandatin që qytetarët u kanë besuar përfaqësuesve të tyre, si dhe e shtyjnë Kuvendin drejt një krize të panevojshme funksionaliteti”, thotë KDI.
Sipas KDI-së, funksionimi i Kuvendit është jetik për proceset që e presin Kosovën, ndërsa pritjet e qytetarëve janë që të garantohet normalitet i punës së Kuvendit dhe të ketë një dinamikë tërësisht tjetër sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative, mbikëqyrjes parlamentare dhe përfaqësimit të nevojave të qytetarëve. /Katror.info
Përgatiti:
