Një takim i rëndësishëm ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Kompania Ujësjellësi Rajonal (KRU) Prishtina është mbajtur për të thelluar bashkëpunimin dhe për të adresuar sfidat dhe mundësitë e përbashkëta që ndodhen përpara këtyre dy ndërmarrjeve publike të Kosovës.
Takimi, që u mbajt në ambientet e KRU-Prishtina, solli së bashku drejtues të dy ndërmarrjeve për një diskutim të thelluar mbi mënyrat e përmirësimit të bashkëpunimit të tyre.
Në këtë ngjarje, Bekir Gërguri dhe ekipi i KEK vizituan KRU-Prishtina dhe u pritën nga Kryeshefi Ekzekutiv, Arsim Fetahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij institucioni. Takimi shërbeu si një mundësi e vlefshme për ndarjen e përvojave dhe shqyrtimin e mundësive për forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Gjatë diskutimeve, u fokusua mbi operimet dhe sfidat që përballen këto dy ndërmarrje, si dhe objektivat që ato kanë për të arritur. Të dy krerët e ndërmarrjeve ranë dakord për krijimin e grupeve punuese të cilat do të përgatisin një marrëveshje mirëkuptimi që do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet KEK-ut dhe KRU-Prishtina.
Marrëveshja e propozuar ka për qëllim të krijojë një strukturë të qartë për koordinimin e mëtejshëm në sektorët e energjisë elektrike dhe ujit. Ky bashkëpunim do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta dhe në përmirësimin e efikasitetit në shërbime, duke kontribuar kështu në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët./Katror.info