Në një kohë kur fjala shpesh humbet mes zhurmave të përditshmërisë, publicistja dhe drejtoresha e kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, sjell një zë që nuk kërkon leje për të ekzistuar.
Në intervistën për rubrikën “Pyetësori i Prustit” në ObserverKult, Halimi ofron një reflektim të thellë mbi lirinë, të vërtetën, frikën dhe guximin për të qëndruar në vetvete — edhe kur kjo sjell vetmi apo përjashtim.
Për Halimin, lumturia nuk është qetësi, por një “liri që dhemb”. Ajo citon Camus-in për ta përkufizuar lumturinë si një akt rebelimi, dhe me fjalë të qarta pohon se “për mua, lumturia është kur fjala ime nuk ka nevojë të kërkojë leje për të ekzistuar”.
Ky qëndrim përshkon të gjithë rrëfimin e saj: një insistim për të jetuar me ndërgjegje të pastër, për të mos heshtur përballë padrejtësisë dhe për të ndërtuar lirinë si një zgjedhje të përditshme, jo si privilegj, raporton Katror.info.
E edukuar nga filozofitë e Arendt-it dhe Foucault-it, Halimi vë theksin te dëgjimi si akt etik, duke e trajtuar edhe të vërtetën me delikatesë e dashuri.
Ajo beson se si çdo gjë në jetë edhe e vërteta duhet të trajtohet me dashuri. “Jo çdo e vërtetë duhet thënë menjëherë, në çdo formë, me çdo çmim. Ka të vërteta që kërkojnë kohë për t’u përballuar, dhe ka njerëz që ndonjëherë kanë më shumë nevojë për një fjalë të butë sesa për një fakt të rreptë,” thotë publicistja Halimi.
Ndjeshmëria dhe arsyeshmëria janë tipare që ajo i sheh si armë të dyfishta: nga njëra anë e kanë ndihmuar të mos e ushqejë urrejtjen, por nga ana tjetër i kanë vështirësuar vendosjen e kufijve të qartë.
E njëjta reflektim i thellë i shfaqet edhe kur flet për dashurinë — për familjen, për fëmijët dhe për të vërtetën që “nuk e imponon veten, por të fton ta kërkosh bashkë me të tjerët”.
Në rrëfimin e saj, liria nuk është as koncept abstrakt dhe as dhuratë. Është proces i përditshëm, që “duhet rizbuluar dhe rimarrë në çdo kontekst”.
Ajo mban një qëndrim të palëkundur ndaj lirive themelore, duke përkujtuar se liria nuk është luks, por nevojë — dhe mungesa e saj është forma më e madhe e mjerimit.
Në fund të intervistës, motoja e saj përmbledh gjithë thelbin e këtij këndvështrimi: “Mos e ngatërroni edukatën me nënshtrim, heshtjen me pajtim dhe turpin me fajin. Liria nis kur emërtojmë saktë dhunën që na është mësuar si moral.” /Katror.info
Lexo intervistën e plotë këtu.