Kombëtarja A e Kosovës në hendboll (meshkuj) është shpallur përfituese e grantit ekipor prej 100 mijë dollarësh (rreth 92 mijë euro), i ndarë nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Sipas njoftimit, ky grant është siguruar përmes Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe është dedikuar kombëtares më të suksesshme të vendit për periudhën 2025 – 2028. Vendimi për ndarjen e fondit u mor nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, duke u bazuar në kriteret dhe rezultatet e fundit të ekipit.
Kombëtarja e hendbollit është në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian 2026, pas fitores ndaj Ukrainës dhe barazimit ndaj Holandës në grupin 6 kualifikues. Në maj, ekipi do të përballet me Ishujt Faroe në Prishtinë dhe me Holandën në udhëtim.
Ky është granti i dytë i këtij lloji për Kombëtaren e Hendbollit të Kosovës, pasi një mbështetje e tillë ishte fituar edhe në ciklin e kaluar olimpik. Ky financim rrit shpresat për kualifikimin e ekipit në Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”. /Katror.info
Përgatiti:
