KIESA ka mbajtur takim parapërgatitor me bizneset që do të marrin pjesë në panairin “Gulfood” në Dubai, përcjell albinfo.ch.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), mbajti sot takim parapërgatitor me kompanitë që do të marrin pjesë në Panairin ndërkombëtar të ushqimit dhe pijeve “Gulfood 2024”, i cili do të mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe më 19 deri 23 shkurt 2024.
Gjatë takimit u diskutua lidhur me hapësirën ekspozuese që ka Kosova në këtë panair si dhe rreth procedurave përgatitore të kompanive. Ndër tjera u fol për produktet që do të ekspozohen nga ana e kompanive tona si dhe për procedurat e tjera për paraqitje sa më të mirë të kompanive në shtandin e Kosovës.
Në këtë panair MINT/KIESA ka siguruar hapësirë ekspozuese prej 66 m2, në të cilën do të promovojnë produktet e tyre 8 kompani vendëse./Katror.info