Parashikimi i motit për këtë javë po thotë që ton java osht me shi, ama ju e dini që shiu i verës osht shiu i ngrohtë i dashurisë 🙂 Kështu që na po ju sjellim edhe një Monday Marks me plot dashni.
Kino Lumbardhi n’Prizren po mbyllet për renovim por ju fton për një xhiro të fundit “deri herën tjetër” me një program me muzikë e filma. Dosti jonë Philipp Konrad Labhart (e keni një TenTen me to këtu) po ju fton në edicinin e ri të Prishtina Soul Kitchen në EDHE. Festivali i letërsisë ZaNa mbahet sivjet në Mitrovicë dhe Shkodër me plot aktivitete poetike.
Festivali i gjuhës gjermane me emër super cool “Burmashinë. Rikverc” (po mungon veq edhe shtrafcigeri, shofershajbna e kta..) ka plot aktivitete dedikume gjuhës gjermane. Zone zakonisht bjen muzikë elektronike por këtë të mërkure osht “Back to Wednesdays” me special guest Shpat Dedën joelektronik (apo noshta edhe ka naj sen pak ma elektro. Intriguse.)
Termokiss organizojnë koncertin e Acid Mothers Temple, ndërsa Residenca 17 i ka disa ngjarje gjatë javës por na po e veçojmë performancën “POLVO” nga Merche Blasco.
Në Tiranë po organizohet edicioni i parë i Festivalit filmik Nightflix në Kino Agimi. Kah Tirona ka edhe dy ngjarje tjera: “Lulet e majit” që potencon se organizon “rezervoar të kujdesit, dashnisë e rebelimit” (poashtu intriguse!) nga Instituti Bulevard, e Galeria e artit e kryeqytetit ka hapje të ekspozitës “Parajsa Artificiale” nga Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari (që quhen edhe “Dy guliverët”. Nuk e dijmë se pse.)
Krejt në fund: Në Prishtinë keni edhe Festivalin nderkombëtar të teatrit që nderon regjisoren e ndjerë Burbuqe Berisha, nga Teatri i Universitetit AAB, si dhe festivalin e motoçikletave sympatiske Vespa, që kanë me sjell pak vrum-vrum atmosferë në so-so Prishtinë.
Fjuuuu. U lodhëm tu numru, ama ju mos u lodhni me shku në ngjarjet e javës. Se për juve po organizohen. Ishmenada next week
Me këqyr & me dëgju: Programi “Edhe një herë deri herën tjetër” / Kino Lumbardhi, Prizren

“Kino Lumbardhi po mbyllet” – kur e lexum, ke tu na ra pika, por e kuptum që mbyllja osht e përkohshme për renovime, kështu që Lumbardhi po ju fton mu mblidhë të gjithë së bashku për m’u përshëndetë me kinemanë ca muaj. Edhepse renovimet te na gjëth zgaten pa plan. Programi ja nisë me 25 maj me filmin Eynelmilel, nga artisti dhe shkrimtari Sırrı Süreyya Önder, i cili ndërroj jetë këtë muaj, por ka me pasë edhe koncerte dhe ngjarje tjera në javën pasuese.
Me dëgju: Prishtina Soul Kitchen, Vol.3 / E.DH.E, Prishtinë
A jeni gati për edicionin e tretë të Prishtina Sould Kitchen në e.dhe? Soul, funk dhe hip hop live – tona të përgatituna të freskëta me një bend të plotë, vokale simpatike dhe një DJ set që mban ritmin ma gjallë. Energji e re nga ekipi i njejtë me mision të njëjtë: muzikë pernime, vajb të sinqert, pa filtra.
Kësaj here, e.dhe. është mikpritësi – vendi ideal për me i jepë frymë ritmit.
Kur? E premte, 23 maj tu fillu prej ora 20:00 (Welcome Drinks nga ora 19:00), Vokaliste Mysafire për Vol. 3 jon Blerta Zabergja dhe Dea Strica + ekipi i PSK bashkë me DJ Wise.
Me lexu & diskutu: ZaNa – Festival i letërsisë / Mitrovicë dhe Shkodër

Festivali i Letërsisë ZaNa po vjen me edicionin e 5-të. Urime dhe suksese. Sivjet osht një program i pasun i Festivalit të Letërsisë ZaNa, me temën “Udhëtimi.” Nga punëtoritë poetike dhe performancat në Mitrovicë, deri te ekspozitat dhe leximet në Shkodër – bashkohuni me publikun, shkrimtarë e poetë për pesë ditë të mbushuna me letërsi dhe frymëzim! Fillon me 20 e mbaron me 24 maj
Me dëgju & diskutu: Ditët e gjuhës gjermane “Burmashinë-Rikverc” / Lokacione të ndryshme
Tepër emni i mirë bre. Nëse hani kifle ose virshlle, nëse s’ju punon kerri se ju ka ra auspuhi ose ju ka prish anllaseri, nëse doni me ndreq frizurën tu u fenirat, nëse doni me veshë naj blluzë apo me marr ruksakin me vete e me kapërcy naj gilinder tu ik prej nej rotvajlleri – dijeni që jeni tu fol gjermanisht se krejt këto fjalë janë infiltru diqysh në shqipen tonë nga baushtellat e gastarbajterëve tonë, ose edhe ma herët. Tash po mbahen Ditët e Gjuhës Gjermane apo “Tage der Deutschen Sprache Kosovo 2025” me plot ngjarje organizume nga Qendra Goethe. Programin me letërsi, punëtori, muzikë jazz e plot ngjarje tjera tashmë ja ka nisë dhe zgjat deri me 25 maj!
Me këqyr: Nightflix Film Festival / Kino Agimi, Tiranë

Festivali i Filmit Nightflix po ja nis më 21 maj. 4 ditë kinematografi nga regjisorë të rinj nga Shqipnia dhe Kosova. Nightflix po synon mu konë e vetmja hapsinë e dedikume zanave të rij vendorë Eneos Çarka, Erblin Nushi, Keti Stamo Ermal Teli dhe regjisorët e Kosovës Kaltrina Krasniqi dhe Fatos Berisha. Ky edicion i parë osht përndryshe krejt gratis për krejt publikun. Sipas organizatorëve, “Misioni ynë ka qenë gjithmonë ta afrojmë kinemanë me publikun e saj të vërtetë, dhe ndihemi me fat që kemi kaq shumë miq dhe bashkëpunëtorë të gatshëm të bashkohen dhe ta mbështesin këtë vizion.”
Me dëgju: Koncerti “Back to the Wednesday” me special guest Shpat Deda / Zone Club, Prishtinë
Dihet që vera kadal-dale po afrohet kur Zone ja nisë me program të dendun, e këtë të mërkure, nata osht e rezervume për Shpatin me zanin e tij melankolik dhe kangët nostalgjike. Aty osht edhe DJ Banzz, por publiku gjithsesi se ka rast mi dëgju hitet e njoftuna, zemërpërkthelëse e zemërthyese, por hapësina osht e mirë me i shëru krejt dhimtat e zemrës me shoqni t’mirë dhe naj birrë a shota tekillë.
Me dëgju: Koncert nga Acid Mothers Temple / Termokiss, Prishtinë

Konichiwa! Japoninë e kemi pikë të dobët e Termokissi simpatik po vazhdon me serinë e ngjarjeve dhe koncerteve majore, tash me do mysafirë specialë nga Japonia. Mas dekadash të eksperimentimit muzikor dhe udhëtimeve transdimensionale përmes tingujve, Acid Mothers Temple po vijnë për herë të parë në Prishtinë për një natë psikodelike në Termokiss! E njohun për performancat shpërthyse dhe improvizimet e egra që sfidojnë çdo kufi të perceptimit, ky grup legjendar nga Japonia sjell një përvojë që, sipas organizatorëve “nuk është thjesht koncert, por një udhëtim shpirtnor përmes galaktikës së zhurmës dhe kaosit të bukur.” Të udhëhequn nga Makoto Kawabata, kolektivi muzikor përzin rock psikodelik, space rock, noise dhe krautrock në “një shpërthim të pandalshëm energjie dhe deliri.” Data osht 24.05, ora 20:00.
Me përjetu: Performanca “POLVO” nga Merche Blasco / Residenca 17, Prishtinë
Merche Blasco ka me prezantu një shfaqje improvizuse live tu përdorurë një set instrumentesh dhe artefaktesh të krijume enkas për ngjarje. Sipas organizatorëve, “përmes eksplorimit të materialeve dhe lëvizjeve ekspresive të trupit, Merche sjell një emocion lozonjar për materialet sonike, të cilat janë serioze dhe të thella: nga regjistrimet në terren të ekosistemeve të brishta dhe të kërcënuara deri te goditjet e mpiksura të basit jashtëtokësor, një përzierje dinamike e teksturave dhe ritmeve shuhen nga kallomi i tingujve të paparashikueshëm.” Ngjarja osht me 3.05. në ora 20:00 te Rezidenca 17.
Me marrë pjesë: Programi “Lule Maji” / Bulevard Art Media Institute, Tiranë

Instituti Bulevard për Art dhe Media po e organizon me 19 maj (sonte pra!) edicionin e katërt të “Lule Maji: Një Rezervoar Kujdesi, Dashnie dhe Rebelimi.” Ky osht një program që synon “një të përbashkët të ndarë mes komuniteteve lokale dhe atyre në diasporë, përmes artit, aktivizmit dhe arkivës.” I keni tri elemente në program: HomeSpace, një arkiv fillestar për ruajtjen e trashëgimisë queer shqiptare; ri-prezantimin e ekspozitës Wrapped in the Shadow of Freedom, e cila eksploron çështjet queer dhe kompleksitetet bashkëkohore të tyre, e prezantume fillimisht në Prishtinë dhe e organizume nga Instituti Sekhmet; si dhe Posta e Dashurisë, një mbledhje javore e fokusume në kujdesin kolektiv përmes shkrimit të letrave, prezantimeve artistike dhe një darke të përbashkët. Artistët pjesëmarrës: Uresa Ahmeti, Ledia Dushi, Anna Ehrenstein, Va-Bene Elikem Fiatsi (crazinisT artisT), Shaunak Mahbubani, Bimbi, alias Angel Hubris, Arlinda Morina (Liki), Bashar Murad, The Queer Muslim Project, Ebba Zajmi. Kurume nga: Valentina Bonizzi dhe Silvi Naçi.
Me pa: Prishtina International Theatre Festival “Burbuqe Berisha” / Universiteti AAB, Prishtinë
Prishtina International Theatre Festival “Burbuqe Berisha” organizohet prej 2017, e edicioni i 9-të sivjet po vjen mbahet nga 19 deri 24 mạj, me një program të pasun me shfaqje nga Kosova, Franca, Greqia, Izraeli dhe Bosna dhe Hercegovina. Shfaqjet zhvillohen në sallën e Teatrit “Faruk Begolli” të Universiteit AAB.
Me pa: Ekspozita “Parajsa Artificiale” nga Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari / Tirana Art Gallery, Tiranë

Koxha na pëlqejnë ngjarjet në Galerinë e Qytetit të Tiranës, e këtë 20 maj po ju rekomandojmë ekspozitën e artistëve Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari. Një seri vizatimesh me lapsa me ngjyra në kuadrin e një projekti ma të gjanë të quajtun “Picturing Performance”, i cili konsiston në hulumtimin e imazheve dhe gjurmëve materiale të performancave që ata kanë realizuar që nga fundi i viteve 90’ përmes gjuhës së pikturës dhe vizatimit. Ma vonë, koncepti i autorëve osht zgjanu edhe me vizatime të luleve natyrale të cilat sipas tyne, gjithashtu na “transportojnë drejt një parajse të pakapshme dhe artificiale.” Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari, punojnë dhe krijojnë së bashku si një duo artistike që nga viti 1998 nën pseudonimin artistik The Two Gullivers dhe janë të përkushtum ndaj artit të performancës në një kontekst ndërdisiplinor.
Me marrë pjesë: Vespa Festival Prishtinë / Sheshi Skenderbe, Prishtinë
S’na bjen shpesh me rekomandu auto-moto ngjarje por këtë javë po vjen edicioni i 3-të i “Vespa Festival Prishtina” organizume nga Vespa Fanatics. Ngjarja zhvillohet nga 24–25 Maj në sheshin “Skënderbeu”, Prishtinë. Festivali i këtij viti premton mu konë edhe më atraktiv, tu i bashku mbi 200 Vespa dhe pjesëmarrës nga Kosova, Shqipnia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Greqia, Italia dhe vende të tjera evropiane. Programi? Festivali zgjatë dy ditë dhe aktivitetet përfshijnë: Paradë dhe shëtitje me Vespa nëpër qytet dhe rrethinë; Ekspozitë Vespa dhe hapësira interaktive për vizitorë; Panair artizanësh dhe ushqimesh lokale me produkte të freskëta dhe unike; Koncerte, argëtim dhe performanca për të gjitha moshat. Sounds super fun.
Marrë nga Suzanne Podcast./Katror.info