Kopertina e një albumi është më shumë sesa thjesht një fotografi në ballinë — ajo përfaqëson një pjesë të identitetit të albumit, artistit ose grupit, duke mbetur përgjithmonë e lidhur me ta dhe me veprën e tyre.
Rëndësia e kopertinës nuk mund të nënvlerësohet, pasi ajo mund të shtojë (ose të zbehë) cilësinë e përgjithshme të përjetimit muzikor. Sipas llojit të saj, kopertina mund të ngjallë interes ose, përkundrazi, të largojë një dëgjues potencial që është në kërkim të diçkaje për të dëgjuar.
Nga këndvështrimi i dëgjuesit, ajo nxjerr në pah personalitetin e albumit, duke ofruar një pasqyrë të përmbajtjes dhe atmosferës që ai përcjell, ndërkohë që i dhuron dëgjuesit një imazh që mund ta shoqërojë gjatë gjithë përjetimit muzikor.
Në një nivel më estetik, nëse një kopertinë përcjell një ndjesi ose atmosferë të caktuar, ajo mund të intrigojë dëgjuesin për të zbuluar se si muzika e pasqyron atë ndjesi.
Në ditët e para të shpërndarjes së muzikës, disqet zakonisht shiteshin në mbështjellës prej letre ngjyrë kafe ose kartoni, ndërsa disqet prej vinili të zi vendoseshin thjesht në mbështjellës gri, pa ndonjë dizajn.
Pjesa e vetme intriguese e çdo disku ishte muzika vetë. Nuk kishte asnjë mënyrë për të ditur si do të tingëllonte apo do të perceptohej një disk, përveçse duke e dëgjuar atë.
Kërkimet mbi këtë temë tregojnë se “albumi” i parë u shpik nga kompania gjermane Odeon, e cila shpërndau “Suitën Arrëthyesi” të Çajkovskit në katër disqe me dy anë dhe i shiti ato të paketuara së bashku.
Megjithatë, vepra më e hershme e artit të kopertinës së albumit lindi kur Columbia Records punësoi drejtorin e saj të parë artistik, Alex Steinweiss, rreth vitit 1938.
Steinweiss ishte pionier i idesë që një album duhet të kishte kopertinën e vet për të tërhequr më mirë vëmendjen e dëgjuesve të mundshëm. Së bashku me një fotograf, ata shkuan në Teatrin Imperial të Nju Jorkut për të fotografuar shkronjat që shkruanin Smash Song Hits by Rodgers & Hart.
Kjo rezultoi të ishte kopertina e parë e një albumi e regjistruar në historinë botërore dhe nisi traditën e kopertinave të dekoruara të albumeve, ashtu siç i njohim sot.
Revolucioni i vërtetë artistik erdhi në fillim të viteve 1960. Albumet “With the Beatles” nga The Beatles, “The Times They Are a-Changin” nga Bob Dylan dhe albumi debutues i Rolling Stones, përmbanin kopertina të dizajnuara për të forcuar imazhin publik të artistëve muzikorë.
Kopertina e albumit “Otis Blue” nga Otis Redding, e vitit 1965, përmban një fotografi të një gruaje të re të bardhë, si një dizajn që luajti një rol të dyfishtë, ajo përfaqësonte fuqinë transcendente të muzikës dhe njëkohësisht fsheh racën e krijuesit të albumit.

Kopertina tradicionale me portret u vu në pikëpyetje gjatë viteve 1965–1966, përmes albumit “Bringing It All Back Home të Dylan”, i cili përfshinte artefakte simbolike të vendosura rreth këngëtarit.
Fytyrat e shtrira në mënyrë artificiale të Beatles në albumin e tyre “Rubber Soul” si dhe ngjyrave të errëta të përdorura nga Rolling Stones në albumin “Aftermath” po ashtu e thyen mënyrën klasike të fotografive në kopertinat e albumeve.
Kjo është periudha kur kopertinat fillojnë të bëhen thuajse po aq të rëndësishme sa edhe vetë albumi. Angazhohen firma ose artistë me renome, dhe fillojnë të paraqiten kopertina pa asnjë informacion në to – as emri i artistëve, e as titulli i albumit.
Pa dyshim, fotografia ikonike e bananës nga Andy Warhol me udhëzimin “Zhvillo ngadalë dhe shiko” është një nga kopertinat më të njohura dhe më origjinale të asaj periudhe. E shkëlqyer në vetvete, ajo mbante vetëm emrin e autorit të fotografisë, por jo edhe të grupit, një element që e bëri kopertinën të fitonte rëndësinë e njëjtë me veprën muzikore të albumit.

Versioni origjinal përfshinte një ngjitëse që hiqej, duke zbuluar një banane me ngjyrë të lëkurës poshtë saj. Ky është një kombinim i përsosur i artit, muzikës dhe humorit. Emri i grupit Velvet Underground And Nico askund nuk figuron në kopertinën origjinale.
Andy Warhol është meritues edhe për një kopertinë ikonike dhe të pazakontë. Në vitin 1969, koncepti i tij për të përdorur një zinxhir të vërtetë “zipp” në kopertinën e një albumi u realizua me albumin “Sticky Fingers” të Rolling Stones.
Fotografitë e realizuara nga Warhol, të fokusuara në xhinset të një modeli mashkull (aktori Joe Dallesandro), të kombinuara me dizajnin grafik nga Craig Braun, e bënë këtë imazh thuajse po aq legjendar sa logoja e famshme e Rolling Stones — gjuha e nxjerrë jashtë.
Kur bëhet fjalë për kopertina ikonike albumesh, pak mund të rivendosin fascinimin dhe ndikimin kulturor të “Abbey Road” të The Beatles. I lëshuar në vitin 1969, kjo kopertinë albumi, e cila paraqet John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr duke ecur mbi një kalim pedonali jashtë Abbey Road Studios, është bërë një pjesë e pashlyeshme e historisë së muzikës.

Përtej tërheqjes vizuale, kopertina e albumit është një thesar i simbolizmit të fshehtë, teori të konspiracionit dhe brilancës artistike. Fotografia është shndërruar në një vlerë të përjetshme të kulturës pop.
Kopertina e përparme është një fotografi e grupit që ecte mbi një kalim këmbësor, e bazuar në idetë që McCartney kishte vizatuar. Ajo u realizua më 8 gusht 1969, jashtë Studio EMI në Abbey Road. Në orën 11:35 të mëngjesit të asaj dite, fotografit Iain Macmillan iu dha dhjetë minuta për të realizuar fotografinë, ndërkohë që ai qëndronte mbi një shkallë dhe një polic mbante bllokimin e trafikut pas kamerës.
Macmillan realizoi gjashtë fotografi, të cilat McCartney i shqyrtoi me një lupë përpara se të vendoste se cila do të përdorej për kopertinë të albumit. Vendimi për të fotografuar jashtë Abbey Road Studios (dikur e njohur si EMI Studios) ishte një referencë për shtëpinë diskografike të grupit, dhe thjeshtësia e imazhit ishte e destinuar të pasqyronte natyrën e thjeshtë të muzikës brenda albumit.
Kopertina e “Abbey Road” ka një ndikim të thellë kulturor. Ajo është parodizuar pafundësisht, me artistë dhe fansa që e riprodhojnë imazhin ikonik në mënyra humoristike dhe krijuese.

Kalimi pedonal, i vendosur në Abbey Road në Londër, për shkak të ndikimit kulturor të albumit, u shpall nga qeveria britanike monument i trashëgimisë kulturore. Sot, ai është shndërruar në një atraksion turistik, dhe fansa nga e gjithë bota vizitojnë vendin për të nderuar Beatles -at.
Teoria e konspiracionit “Paul is dead”, e cila mori më shumë popullaritet në fund të viteve 1960, u nxit pjesërisht nga pista të perceptuara në kopertinën e albumit “Abbey Road”. Në fund të vitit 1969 filloi të qarkullonte një teori konspirative, sipas së cilës Paul McCartney në fakt kishte vdekur në një aksident automobilistik në vitin 1966 dhe ishte zëvendësuar nga një person që i ngjante.
Përveç faktit që Paul ishte jashtë hapit me anëtarët e tjerë të grupit dhe ecte zbathur, kishte edhe “të dhëna” të tjera në kopertinën e albumit, që thuhej se Beatles i kishin “lënë” me qëllim për të dhënë një mesazh.
Një makinë Volkswagen Beetle e bardhë kishte targa me shkrimin “28IF” – që do të thoshte se Paul do të kishte qenë 28 vjeç nëse do të kishte mbijetuar; furgoni i policisë në kopertinë zakonisht shihet në vendngjarjet e aksidenteve fatale; dhe katër anëtarët e Beatles përfaqësojnë një procesion funerali: George, me veshje xhinsi, është varrmihësi; Paul është i vdekuri, prandaj është zbathur; Ringo përfaqëson të pranishmit në ceremoni; dhe John është prifti, me veshje të bardha.

Ndërkohë që teoria është hedhur poshtë gjerësisht, ajo mbetet një kapitull fascinues në historinë e Beatles dhe një dëshmi e fuqisë së simbolizmit në kulturën popullore. Kjo kopertinë mbetet një kryevepër e thjeshtësisë dhe kuptimeve të fshehta.
Ajo ka kaluar përtej rolit të saj si kopertinë albumi për t’u bërë një simbol i gjenialitetit artistik dhe rëndësisë kulturore. Pavarësisht se si e shihni atë, si një punë të ndërtuar me zgjuarsi artistike apo si një kanavacë për teoritë e konspiracionit, “Abbey Road” mbetet një pjesë ikonike e historisë vizuale, e lidhur përjetësisht me magjinë e muzikës së Beatles.
Në vitin 1993, 24 vite më vonë, Paul McCartney publikoi albumin Paul Is Live (Pauli është gjallë), i realizuar nga koncertet e tij gjatë atij viti. Titulli i albumit ishte një përgjigje ndaj thashethemeve Paul Is Dead (Pauli është i vdekur). Fotografia e përdorur për kopertinën e albumit ishte marrë nga e njëjta seancë fotografike e gushtit 1969, si ajo e përdorur për kopertinën e Abbey Road, por me disa manipulime digjitale.
Kopertina e albumit “The Dark Side of the Moon” nga Pink Floyd mund të duket si një vepër e thjeshtë arti, por ajo përcjell shumë më tepër sesa mund të perceptohet në shikim të parë. Drita që kalon përmes një prizmi dhe shpërndahet në formën e një ylberi është menduar për të përfaqësuar ndriçimin skenik të grupit dhe temat që trajtohen në tekstet e albumit.

Dizajnerët Storm Thorgerson dhe Aubrey Powell, nga firma e njohur e dizajnit Hipgnosis, punuan mbi këtë ide me sugjerimin e tastieristit të grupit, Richard Wright. Ai propozoi diçka “më të zgjuar, më të pastër – më elegante” dhe më të thjeshtë se kopertinat e mëparshme të Pink Floyd.
Dizajni u frymëzua nga një fotografi e një prizmi përmes të cilit kalon një rreze drite të bardhë dhe shpërndahet në ngjyrat e spektrit të dukshëm – një imazh që Thorgerson e kishte gjetur në një tekst të fizikës të vitit 1963. Gjithashtu, frymëzimi erdhi edhe nga një ilustrim i Alex Steinweiss, shpikësi i artit të kopertinave të albumeve, për interpretimin e vitit 1942 të Filarmonisë së Nju Jorkut të koncertit Emperor të Ludwig van Beethoven.
Me sugjerimin e Roger Waters, spektri i dritës vazhdon edhe në palosjen e brendshme të kopertinës. Më vonë u shtua edhe një paraqitje vizuale e zërit të rrahjes së zemrës, që dëgjohet përgjatë albumit, ndërsa pjesa e pasme e kopertinës tregon një prizëm tjetër që ribashkon spektrin e dritës – një ide e Thorgerson, për të mundësuar një paraqitje më tërheqëse në dyqanet e disqeve.
Vlen të përmendet se brezi i dritës që del nga prizmi në kopertinë ka gjashtë ngjyra – mungon indigoja – në kontrast me ndarjen e zakonshme të spektrit në shtatë ngjyra.
Brenda kopertinës ndodheshin dy postera dhe dy ngjitëse me tematikë piramidash. Njëri poster përmbante fotografi të grupit gjatë koncertit, të mbivendosura me shkronja të shpërndara që formonin fjalën PINK FLOYD, ndërsa posteri tjetër paraqiste një fotografi infra të Madhe të Piramidave të Gizës, e krijuar nga Powell dhe Thorgerson.
Dhe, siç tregon numri i madh i bluzave, rekuizitave dhe paraqitjeve në filma e dokumentarë me këtë imazh sot, prizmi është bërë sinonim me vetë Pink Floyd dhe një nga kopertinat më të njohura të albumeve në historinë e muzikës.
Është e veçantë edhe kopertina e Pink Floyd për albumin “Wish You Were Here”. Sipas dizajnerit të saj, Aubrey Powell, i gjithë koncepti i imazheve në kopertinë bazohet në marrëdhënien e grupit me bizneset e mëdha në përgjithësi, dhe me shtëpinë e tyre diskografike në veçanti.
Këto marrëdhënie nuk ishin aspak të mira, aq sa grupi rrezikoi edhe lëndimin e protagonistëve në kopertinë për t’i paraqitur sa më autentikisht ndjenjat e tyre të zemërimit ndaj kompanisë. Grupi e konsideronte industrinë e show-biznesit përgjegjëse për fatin tragjik të ish-mikut dhe anëtarit të grupit, Syd Barrett, i cili ishte edhe inspirim dhe tema kryesore e këtij albumi.

Dy burrat e fotografuar në kopertinën e përparme përfaqësojnë një person që “digjet” gjatë një marrëveshjeje biznesi me tjetrin. Janë përdorur dy aktorë kaskaderë (Ronnie Rondell dhe Danny Rogers), ku njëri prej tyre ishte i veshur me një kostum antizjarr, i mbuluar nga një kostum biznesi.
Realizimi i fotografisë ishte i shoqëruar me një dozë të lartë rreziku, pasi gjithçka u xhirua me efekte vizuale plotësisht reale, duke përfshirë zjarr të vërtetë. Koka e Ronnie Rondell-it ishte e mbrojtur nga një kapuç antizjarr, i vendosur nën një paruke.
Fotografia u realizua në rrugicat e studiove Warner Bros në Kaliforni. Gjatë xhirimit, flakët u përplasën në fytyrën e Rondell-it, duke i djegur mustaqet dhe duke e rrezikuar me lëndime më të mëdha, falë intervenimit të shpejtë të stafit, kaskaderi Rondell, shpëton vetëm me mustaqe të djegura. Edhe kjo kopertinë, tashmë, është bërë ikonike dhe përdoret si simbolikë në shumë fusha të tjera artistike.
Pink Floyd ka tërhequr interes të jashtëzakonshëm edhe me kopertinat e tjera të albumeve të tyre. Ata kanë realizuar projekte shumë serioze për të krijuar kopertina me ide origjinale dhe nuk kanë hezituar të paguajnë shuma të mëdha për një fotografi të vetme që do të përdorej në kopertinë.
Më 1987, Pink Floyd prapë angazhoi Storm Thorgerson, i cili punësoi 30 punëtorë për të zhvendosur 700 shtretër të marrë me qira drejt plazhit Saunton Sands në North Devon, për të realizuar një fotografi që do të bëhej një nga kopertinat më mbresëlënëse dhe mahnitëse në historinë e muzikës rock – kopertina e albumit A “Momentary Lapse of Reason”.
Ideja për këtë imazh i lindi Storm-it nga fjalia: “Një vizion i një shtrati bosh,” e marrë nga kënga “Yet Another Movie”. Sapo lexoi këtë frazë, ai imagjinoi një lumë shtretërish spitalorë që zvarriteshin përgjatë një plazhi. E pa si një pamje absurde, por perfekte për të ilustruar titullin e albumit “A Momentary Lapse of Reason”(Humbje e menjëhershme e arsyes) dhe kështu lindi ideja për këtë fotografi ikonike.
Pasi u kristalizua ideja, sfida më e madhe mbeti realizimi. Po flasim për një periudhë para efekteve kompjuterike dhe epokës së fotoshop-it. Detyra e parë ishte të gjendeshin qindra shtretër dhe dikush që do të pranonte t’i jepte me qira. Detyra e dytë ishte transportimi i tyre deri në breg dhe vendosja sipas vizionit të Thorgerson-it – një proces që, sipas tij, zgjati rreth dy javë. Kostoja e këtij projekti ambicioz kapërceu shifrën prej 500,000 dollarësh, (sot vlera arrin në 1.5 milion dollarë).
Më 14 qershor 1987, çdo detaj ishte gati: shtretërit u vendosën saktësisht sipas planit, figurantët, qentë dhe pajisjet ishin në vendin e duhur, dhe një deltaplan u ngrit në qiell për të përfunduar kompozimin. Por ndodhi e pabesueshmja – filloi të bjerë shi dhe i gjithë ekipi u detyrua ta përsëriste procesin nga e para, derisa u realizua rezultati përfundimtar, i jashtëzakonshëm dhe muzeal.
Deltaplani në qiell, qentë, personi në shtrat dhe infermierja në plazh – të gjitha këto elemente i referohen këngëve specifike të albumit. Fotografi Robert Dowling fitoi një Çmim të Artë nga Shoqata e Fotografëve botëror.
Një nga kopertinat më të njohura të albumeve është ajo e albumit “Nevermind” nga Nirvana. Ajo paraqet një foshnjë të zhveshur duke notuar nën ujë drejt një kartëmonedhe një dollarëshe të vendosur në një grep peshkimi, duke dhënë një mesazh simbolik mbi vlerat që shoqëria jonë u transmeton të rinjve — lakminë për para.
Kompania diskografike Geffen ishte e shqetësuar se fakti që penisi i foshnjës ishte i dukshëm në fotografi mund të shkaktonte reagime negative, ndaj përgatiti një version alternativ të kopertinës ku ai nuk shfaqej. Megjithatë, ata hoqën dorë nga kjo ide kur Kurt Cobain lideri i grupit deklaroi se kompromisi i vetëm që do të pranonte ishte një ngjitëse mbi organin gjenital me mbishkrimin: “Nëse kjo të ofendon, atëherë je një pedofil i fshehtë.”
Tre dekada më vonë, foshnja e kopertinës, Spencer Elden, tashmë një burrë i rritur, paditi grupin në vitin 2021. Ai pretendoi se përdorimi i imazhit të tij ishte bërë pa pëlqimin e tij ose të kujdestarëve ligjorë, se kjo përbënte shkelje të ligjeve federale për pornografinë me fëmijë dhe se kjo i kishte shkaktuar “dëme të përhershme”. Gjykata hodhi poshtë padinë në vitin 2022.
Kopertinat, përtej funksionit të tyre bazë, shpesh përfaqësojnë albumin në formën më të përpunuar artistikisht, duke u konsideruar herë pas here si vepra jashtëzakonisht të vlefshme. Një shembull i tillë është kopertina e albumit “A Broken Frame” nga Depeche Mode. Edhe pse është një fotografi, kopertina synon të ngjajë me një pikturë, duke u paraqitur si një vepër e mirëfilltë artistike.
Ajo shfaq një grua duke korrur grurë në një fushë në Anglinë Lindore, pranë Duxford-it, në Cambridgeshire. Është realizuar nga Brian Griffin. Griffin ka përmendur si burim frymëzimi realizmin socialist të Bashkimit Sovjetik, veçanërisht veprën e Kazimir Malevich-it, si dhe romantizmin gjerman. Kopertina u përfshi gjithashtu në edicionin e vitit 1990 të revistës Life, “Fotografitë më të mira të botës: 1980–1990”.
David Bowie pa këmishë, me flokë të kuqe dhe një rrufe blu-kuq që e ndan fytyrën e tij në dysh, ndërsa një pikë loti i rrjedh në kockën e klavikulës. Kjo fotografi e realizuar nga Brian Duffy është pjesë e një përpjekjeje për të siguruar që kompania diskografike RCA të promovonte gjerësisht albumin “Aladdin Sane”.
Menaxheri i Bowie, Tony Defries, ishte i vendosur ta bënte kopertinën më të shtrenjtë që kishte ekzistuar ndonjëherë. Ai këmbënguli në përdorimin e një sistemi të paprecedentë me shtatë ngjyra, në vend të katër ngjyrave të zakonshme. Ky imazh u bë arti më i shtrenjtë i kopertinës i realizuar deri atëherë (1973).
Ideja për rrufenë mbi fytyrën e David Bowie-t erdhi nga një logo mbi një tenxhere orizi. Grimi u plotësua me një “larje vjollcë vdekjeprurëse”, e cila, së bashku me sytë e mbyllur të Bowie-t, krijon një “maskë vdekjeje”. Kjo kopertinë, në atë kohë, u shpallë Mona Lisa e kopertinave dhe muzikës moderne, si dhe simbol i Rilindjes së rrokut.
Një kopertinë që u bë e famshme dhe, për një periudhë, pothuajse e barasvlershme me simbolet e tjera zyrtare të shtetit amerikan, është ajo e albumit “Born in the U.S.A.” (I lindur në SBA) nga Bruce Springsteen.
Në fotografi, Springsteen qëndron me shpinë nga kamera, përballë vijave të një flamuri amerikan. Ai është i veshur me një bluzë të bardhë dhe xhinse, ndërsa në xhepin e pasmë të djathtë ka një kapelë të kuqe bejsbolli. Kjo kapelë kishte qenë e babait të mikut të Springsteen-it, Lance Larson, i cili kishte ndërruar jetë së fundmi.
Springsteen ka deklaruar se flamuri u përfshi në kopertinë sepse kënga e parë e albumit titullohej “Born in the U.S.A.”, dhe se tema mbizotëruese e albumit pasqyronte shkrimet e tij gjatë karierës së tij deri atëher.
Fillimisht, fotografia shkaktoi debat: disa komentues besonin se Springsteen po urinonte mbi flamur, gjë që ai e mohoi, duke i thënë me ironi Kurt Loder-it nga revista Rolling Stone se “fotografia e prapanicës sime dukej më mirë se fotografia e fytyrës sime” dhe se nuk kishte asnjë “mesazh të fshehur”.
Fotografia u realizua nga fotografja e njohur e muzikës rock, Annie Leibovitz. Vetë albumi mund të cilësohet si patriotik, por në kuptimin e përgjegjësisë që mbart udhëheqja e një “superfuqie” përballë sfidave të kohës. Në album trajtohen tema si lufta e Vietnamit, papunësia, trazirat racore, padrejtësitë klasore dhe sociale.
Shpejt, kjo kopertinë u pranua jo vetëm nga fansat amerikanë, por edhe nga ata në mbarë botën, si një simbol i një superfuqie të vetëdijshme për rolin dhe përgjegjësitë e saj në botë.
Të gjithë këta shembuj, ashtu si edhe qindra mijëra të tjerë, dëshmojnë se, para epokës së transmetimit të muzikës dixhitale, entuziastët e muzikës blinin disqe vinili LP dhe CD jo vetëm për muzikën, por edhe për të admiruar kopertinën e albumit.
Ishte e zakonshme që vizitorët të argëtoheshin thjesht duke eksploruar koleksionin e vinilëve të dikujt dhe duke krijuar një ide për shijen muzikore të personit, vetëm duke hedhur një sy mbi kopertinat.
Kopertinat shpesh përmbanin mesazhe politike, vështrime historike apo sociale, e ndonjëherë nuk kishin fare lidhje me temën e këngëve apo me titullin e albumit, por megjithatë ishin të ngarkuara me simbole të fuqishme, të fshehura në dizajn, fotografi apo pikturë. Shpesh ato paraqisnin artistin në stile të ndryshme, duke i dhënë audiencës një ide se çfarë mund ta priste në album.
Me rritjen e platformave të transmetimit dixhital, tradita e blerjes së vinilëve për të vlerësuar artin e kopertinës ka evoluar. Sot, këngët luhen në mënyrë të vazhdueshme, shpesh pa ndonjë angazhim të dëgjuesve me aspektin vizual të albumit.
Megjithatë, pavarësisht këtij ndryshimi, fuqia e një kopertine albumi të dizajnuar mirë mbetet e njëjtë dhe prapë pas një pauze afro tre dekadave ndikoi në ritkthimin e disçeve vinile si vepër e kompletuar artistikisht.
Ato vazhdojnë të pasqyrojnë thelbin e muzikës, personalitetin e artistit, si dhe kontekstin kulturor e historik, duke ruajtur rolin e tyre si pjesë e pazëvendësueshme e përvojës muzikore.
Përgatiti:
