Nga shteti i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Kori nga Kosova, “Siparantum” i ka siguruar vendit dy çmime: Medaljen e Artë dhe Çmimin Special për Programin Kontemporan më të mirë dhe interpretim në skenë, të mbajtur në “Sing for Gold – The World Choral Cup, Barcelona, 2024”.
Kori “Siparantum” e përfaqësoi Kosovën në Kupën Botërore të Koreve, që u mbajt në Barcelonë të Spanjës, nga data 23 deri më 28 tetor 2024.
Ndërkaq, më 25 tetori, Kori “Siparantum” ngjiti skenën për të performuar koncertin prestigjioz “Midnight Sounds” në Església de Santa Maria i Sant Nicolau në Calella.
Kori nga Kosova ishte në konkurrencë me tetë kore të tjera nga vende të ndryshme të botës. Koncertin e tyre e kanë nisur me “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozuar nga Baki Jashari dhe me tekst të Din Mehmetit. Energjia që ka sjellë “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” është përcjellë me veprën “Te na Solbici” të kompozitorit Samo Vovk. Më pas vepra e kompozitorit Jan Van der Roost, “Amor, io fallo” hyn te lista e interpretimit që nxjerr në pah potencialin e zërave të formacioneve korale e po ashtu teknikën profesionale. Kurse “Nyon Nyon” e kompozitorit Jake Runestad, ka qenë e fundit sa i përket koncertit garues.

Dirigjenti Memli Kelmendi i ka thënë Kohës pas koncerit se është jashtëzakonisht i lumtur me atë që kanë arritur të nxjerrin në skenë. Sipas tij, dilemat gjithnjë ekzistojnë pasi flitet për muzikë të gjallë.
“Normalisht që ky program nuk është aspak i lehtë pasi pos anës vokale ka edhe atë koreografike dhe të bëhen të dyja njëkohësisht është ngarkesë jo e vogël. Tash natyrisht mbetet në kompetencë të jurisë vlerësimi por fuqishëm besoj se prezantimi sonte është nivel tjetër”, ka thënë ai.
Spanja është shteti i 16-të ku prezantohet kori “Siparantum”. /Katror.info