Republika e Kosovës ka shënuar një tjetër fitore ligjore ndërkombëtare në rastin kundër biznesmenit Bedri Selmani, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Paris, e cila ka refuzuar padinë për anulimin e vendimit të arbitrazhit të ngritur nga Selmani dhe ka urdhëruar atë që t’ia kompensojë Republikës së Kosovës shumën prej 120,000 eurosh për shpenzimet gjyqësore.
Lajmi e ka bërë të ditur zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë Blerim Sallahu.
Kjo çështje kishte nisur pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) në lëndën nr. 24443/MHM/HBH, më 1 gusht 2022, ku ishte refuzuar kërkesa e Bedri Selmanit në vlerë prej 60 milionë eurosh kundër Republikës së Kosovës, që kishte të bënte me rastin Kosova Petrol & Hotel Victory.
Në të njëjtin vendim, ICC-ja kishte urdhëruar Selmanin që t’ia kompensonte Kosovës shpenzimet e procedurës në shumën prej 1,477,165.38 dollarë amerikanë dhe 71,653.305 euro.
Pas këtij vendimi, Selmani kishte paraqitur padi për anulimin e arbitrazhit në Gjykatën e Apelit në Paris, por tani edhe kjo padi është refuzuar përfundimisht, duke i dhënë të drejtë shtetit të Kosovës.
Sipas burimeve zyrtare, Republika e Kosovës ka angazhuar një zyrë ligjore në Londër për procedurën e ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit, meqë vendbanimi i z. Selmani ndodhet në Londër.
Ky vendim konsiderohet një tjetër fitore e rëndësishme për Kosovën në mbrojtjen e interesave të saj në arenën ndërkombëtare.













