Qindra qytetarë të Kosovës i janë përgjigjur ftesës së një organizate turke në Prishtinë për të dërguar ndihma për banorët e vendbanimeve të prekura nga tërmetet në Turqi. Ndihmat e para, përfshirë rroba, batanije dhe të holla, tashmë kanë mbërritur në Turqi, njofton Radio Evropa e Lirë.
Teksa aksioni po vazhdon, Kosova po ndihmon edhe në zonat e tërmetit, ku Forca e Sigurisë së Kosovës ka shpëtuar një vajzë dyvjeçare dhe nënën e saj nga rrënojat.
Ekipet e FSK-së që gjenden në Turqi për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, fillimisht njoftuan se kanë arritur të nxjerrin të gjallë një fëmijë 2 vjeçar pothuajse 72 orë pas tërmetit.
Përmes një njoftimi për media, FSK ka njoftur se operacionet e Kërkim-Shpëtimit do të vazhdojnë deri sa të nxirret edhe qytetari i fundit nga rrënojat. “Motivi i ushtarakëve nga Kosova është i lartë, profesionalizmi dhe disiplina po japin rezultate.”/Katror.info