Ministria e Arsimit ka miratuar Kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, e cila vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së edukimit parashkollor në vend.
Vendimi për miratimin e kurrikulës është nënshkruar sot nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila e ka cilësuar këtë dokument si një themel të fortë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve në Kosovë.
Sipas njoftimit të Nagavcit, kurrikula është hartuar nga një ekip i gjerë profesionistësh, përfshirë edukatorë, drejtorë institucionesh parashkollore, profesorë universitarë, zyrtarë të MASHTI-t dhe ekspertë nga Instituti Pedagogjik. Procesi është mbështetur edhe nga partnerë ndërkombëtarë si UNICEF, Banka Botërore, Save the Children dhe Caritasi Zviceran.
”E hartuar nga një ekip i gjerë profesionistësh – edukatorë, drejtorë të institucioneve parashkollore, profesorë universitarë, zyrtarë të MASHTI-t dhe ekspertë nga Instituti Pedagogjik – kurrikula është mbështetur nga partnerë ndërkombëtarë si UNICEF, Banka Botërore, Save the Children dhe Caritasi Zviceran”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Dokumenti është pilotuar me sukses në 10 komuna, në 12 institucione parashkollore dhe 17 klasa, duke reflektuar format e ndryshme të edukimit në këtë nivel.
Kurrikula e re ofron një qasje gjithëpërfshirëse, duke vendosur fëmijën në qendër të procesit mësimor, si dhe duke promovuar mirëqenien, mësimin aktiv, zhvillimin e shprehive të shëndetshme dhe rolin aktiv të prindërve në edukim.
Autoritetet e arsimit e kanë cilësuar këtë zhvillim si një hap konkret drejt krijimit të kushteve më të mira për fillimin e jetës arsimore të çdo fëmije në Kosovë. /Katror.info
Përgatiti:
