Shoqata “Organika” ka mbajtur sot Konferencën e Tretë Ndërkombëtare për Bujqësinë Organike në Kosovë, me temën “Grumbullimi i qëndrueshëm i produkteve pyjore jodrusore: tregu, mundësitë dhe sfidat e sektorit”. Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, fermerë, eksportues dhe ekspertë të sektorit.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë fjalës së tij theksoi ndikimin pozitiv të politikave mbështetëse të qeverisë në zhvillimin e bujqësisë organike. Sipas tij, falë përkrahjes së shtuar institucionale, ky sektor ka krijuar mbi 2 000 vende të reja pune, duke ndikuar direkt në rritjen e të ardhurave dhe mirëqenien e komuniteteve rurale.
“Gjatë këtij mandati, kemi pesëfishuar mbështetjen financiare për fermerët që merren me prodhim organik – nga 50 euro për hektar në 250 euro për hektar të sipërfaqes së certifikuar. Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme të interesimit dhe të vetëdijes për përfitimet e produkteve organike, si dhe një zgjerim prej 72% të sipërfaqeve të kultivuara me bimë mjekësore dhe aromatike”, u shpreh Peci.
Ministri gjithashtu vuri në dukje se sektori i bujqësisë organike po orientohet gjithnjë e më shumë drejt tregjeve ndërkombëtare. Vetëm gjatë vitit 2024, 96.2% e produkteve organike të certifikuara janë eksportuar jashtë vendit, duke gjeneruar një vlerë prej 17.6 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin 2023.
Në kuadër të angazhimeve strategjike, Peci bëri të ditur se po zbatohet me sukses Plani Kombëtar për Bujqësinë Organike 2023–2026 dhe është në proces hartimi një ligj i ri për bujqësinë organike, i cili synon të forcojë më tej bazat ligjore dhe të inkurajojë inovacionin në këtë sektor.
Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës “Organika”, Fatmir Krasniqi, foli për rrugëtimin dhe arritjet e organizatës gjatë 12 viteve të saj të ekzistencës.
“Sot përfaqësojmë një rrjet prej mbi 40 fermerësh, grumbulluesish, bizneseve dhe kooperativash, të gjithë të përkushtuar në ndërtimin e një sektori të qëndrueshëm, promovimin e produkteve organike në tregjet vendore dhe ndërkombëtare, dhe garantimin e cilësisë përmes certifikimeve”, deklaroi Krasniqi./EO/Katror.info