Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar sot një marrëveshje të re bashkëpunimi me Institutin Arkeologjik të Gjermanisë, duke hapur rrugë për projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbim të ekspertizës dhe mbështetje profesionale në fushën e arkeologjisë.
Ministri Hajrulla Çeku e ka cilësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arkeologjike të Kosovës, ndërsa e ka vlerësuar partneritetin me Gjermaninë si një mundësi për ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Po e forcojmë lidhjen me Evropën përmes historisë dhe kulturës,” ka deklaruar ministri Çeku.
Ai ka theksuar se marrëveshja me shtetin mik, Gjermaninë, është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm në fushën e trashëgimisë kulturore.
Edhe Ambasada e Gjermanisë ka shpërndarë lajmin duke u shprehur entuziastë për zhvillimet e ardhme në këtë fushë.
”Na presin kohë të mbushura me zhvillime emocionuese për trashëgiminë kulturore”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Marrëveshja u nënshkrua nga Dr. Lukas Werther dhe Bislim Bislimi, në prani të ambasadorit Rohde dhe ministrit Hajrulla Çeku – duke vendosur themelet për projekte të përbashkëta dhe shkëmbim ekspertize. /Katror.info
Përgatiti:
