Federata e Xhudos e Kosovës mori pjesë në punëtorinë “Xhudo e Adaptuar” të organizuar nga Federata Evropiane e Xhudos (EJU) më 18-19 janar 2025 në Budapest, ku morën pjesë përfaqësues nga shumë federata ndërkombëtare të xhudos, shkruan Katror.info.
“Kosova e ka nisur zbatimin e “Xhudos së Adaptuar” me personat me aftësi të kufizuara që nga viti 2023, si pjesë përbërëse e programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, program ky që ndër tjera synon gjithëpërfshirjen në sport dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Xhudos të Kosovës.
Në ngjarjen e zhvilluar, Dr. Lisa Allan, Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), ka shprehur vlerësimin për angazhimin e Kosovës në zhvillimin e xhudos së adaptuar, ndërsa Znj. Marina Draskovic nga EJU ka pasqyruar arritjet dhe hapat e rëndësishëm që po bëhen për të përfshirë të gjithë individët, pa dallime, në këtë sport.
Krahas kësaj punëtorie, Kosova ka zhvilluar programin “Kosova, Shtet i Xhudos” që është një iniciativë e lansuar nga Federata e Xhudos e Kosovës në vitin 2023, me qëllim të krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë ata me aftësi të kufizuara.
Ky program synon të rrisë pjesëmarrjen e individëve me aftësi të kufizuara në sport, duke ofruar mundësi për zhvillimin e aftësive dhe integrimin e tyre në shoqëri përmes xhudos. Njëkohësisht, ai synon që Kosova të pozicionohet si një lider në promovimin e gjithëpërfshirjes dhe barazisë në sportin ndërkombëtar./Katror.info