Kosova është renditur në mesin e 14 vendeve ku njerëzit ndihen më së shumti të sigurt duke ecur vetëm në rrugë gjatë natës, sipas raportit të fundit të Gallup mbi Sigurinë Globale.
Në këtë listë janë edhe Kuvajti, Singapori, Norvegjia, Arabia Saudite, Taxhikistani, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Salvadori, Mali I Zi, Islanda, Luksemburgu dhe Zvicra.
Kosova është renditur e 12-ta në këtë listë.

Sipas Gallup-it, në vitin 2023, 70% e të rriturve në mbarë botën thanë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën aty ku jetojnë, gjë që është dukshëm më e lartë se sa ishte një dekadë më parë dhe në shumicën e pikave në trendin gati 20-vjeçar të Gallup.
“Megjithatë, përparimi në këtë masë ka ngecur në vitet e fundit dhe pak më pak njerëz sot ndjehen të sigurt se në vitin 2020, kur një rekord prej 72% ndihej i sigurt”, thuhet tutje.
Sipas Gallup-it, në shumicën e vendeve dhe territoreve të zhvilluara ekonomikisht me sundim të fortë të ligjit, shumica e banorëve thanë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm në zonat e tyre gjatë natës.
Raporti i Gallup mat se sa të sigurt ndihen njerëzit duke ecur vetëm gjatë natës dhe besimin e tyre te policia vendase. Ky raport gjithashtu analizon shpeshtësinë e vjedhjeve, sulmeve ose grabitjeve të përjetuara nga individët e anketuar.
Përfshirja e Kosovës në mesin e 14 vendeve më të mira tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së saj raporton besim të lartë në siguri, gjë që mund t’i atribuohet faktorëve si zbatimi efektiv i ligjit, besimi i komunitetit dhe një shkallë e ulët e krimit të dhunshëm në fusha të caktuara./Katror.info