Me mesazhin “Për ujëra pa plastikë”, Kosova ka shënuar sot Ditën Botërore të Mjedisit, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër ndotjes nga plastika në ekosistemet ujore dhe mjedisin urban.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), në bashkëpunim me Programin për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K) – të bashkëfinancuar nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeveria e Kosovës – organizoi sot manifestimin qendror, duke mbledhur përfaqësues institucionalë, ekspertë të mjedisit, organizata të shoqërisë civile dhe të rinj.
Përmes një komunikate për media, njofotohet se në hapje të ngjarjes, përfaqësuesi i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Shkëlqim Daci, tha se plastika është shndërruar në një prej kërcënimeve më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore, duke përmendur se çdo vit miliona ton plastikë përfundojnë në lumenj dhe dete, me pasoja të rënda për biodiversitetin dhe shëndetin publik, transmeton Katror.info.
Nga ana e tij, këshilltari i jashtëm politik në MMPHI, Agim Mazreku, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka investuar rreth 2 milionë euro për pastrimin e lumenjve, ndërsa po planifikon krijimin e pesë qendrave rajonale për ndarjen e mbeturinave, si pjesë e Strategjisë së re të Menaxhimit të Integruar të Mbeturinave.

Në panelin tematik u diskutua rreth krizës globale të ndotjes plastike dhe ndikimit të saj në Kosovë, ku mikroplastikat janë tashmë të pranishme në ekosistemet ujore dhe, sipas studimeve ndërkombëtare, edhe në trupin e njeriut.
Në kuadër të aktivitetit, MMPHI dhuroi 100 drunj për Tech Park Prishtina, ndërsa ngjarja u përmbyll me mbjelljen simbolike të tyre dhe një ekspozitë kreative me materiale të ricikluara, realizuar nga nxënësit e Shkollës Finlandeze.
Kjo ditë synoi të forcojë vetëdijen qytetare për ruajtjen e natyrës dhe rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në krijimin e një mjedisi më të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë. /Katror.info
Përgatiti:
