Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është takuar me drejtorin ekzekutiv të kompanisë Bosch Rexroth, Steffen Haack, në kuadër të panairit ndërkombëtar “Hannover Messe 2025”.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, biseda u fokusua në mundësitë e investimeve në Kosovë, ndërsa kryeministri e informoi drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth mbi reformat dhe arritjet e qeverisë gjatë këtij mandati, transmeton Katror.info.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e kërkimit, hulumtimit dhe zhvillimit në sektorët e automatizimit dhe teknologjisë industriale. Kryeministri Kurti ka theksuar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të mbështetur iniciativat e kompanive gjermane në themelimin e qendrave të inovacionit dhe trajnimit profesional në vend, në bashkëpunim me universitetet.
Gjatë takimit, Kurti e ftoi Haack që të vizitojë Kosovën për t’u njohur më nga afër me potencialet për investime dhe zhvillimin ekonomik të vendit. /Katror.info
Përgatiti:
