Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar një zhvillim të rëndësishëm për bashkatdhetarët kosovarë që jetojnë në këtë shtet. Nga tani e tutje, shtetasit e Kosovës nuk do të regjistrohen më si shtetas serbë në Gjermani, shkruan Katror.info.
Në një video-mesazh, Ajeti theksoi se ky problem ka ekzistuar për më shumë se 17 vite dhe ka ndikuar në mijëra qytetarë kosovarë, të cilët regjistroheshin automatikisht dhe gabimisht si shtetas të Serbisë në komuna të ndryshme gjermane.
“Më shumë se 17 vite qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komuna të ndryshme gjermane në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar, si shtetas të Serbisë. Kam kënaqësinë që t’ju njoftoj se si rezultat i punës dhe angazhimit tonë diplomatik, ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar prej vitesh, nga sot e tutje do të marrë fund,” deklaroi Ajeti.
Ai bëri të ditur se pas komunikimeve me Kancelarinë Federale, Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, të Brendshme dhe të Drejtësisë, është arritur që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Kosovës dhe të mos evidentohen më si shtetas serbë.
Ambasadori shtoi se të gjitha 16 landet gjermane dhe mbi 5,200 qendra të regjistrit civil në mbarë Gjermaninë kanë pranuar një qarkore nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, e cila i informon për këtë ndryshim të rëndësishëm.
Në fund, Ajeti u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Gjermani të kontaktojnë organet kompetente për të korrigjuar dokumentacionin e tyre. /Katror.info