Fatos Xhafolli, një shtetar shqiptar i Kosovës është pronar i restorantit “Nuovo Mario”. Ai para tri dekadash ishte prapa banakut, kurse tani është menaxher i restorantit.
Fatosi ka nisur karrierën e vet profesionale, në një shtet mikpritës që në moshë të njomë. U desh një shkëndijë dhe pasioni i tij për kuzhinën u ndez për të mos u reshtur kurrë.
Sot është një profesionist i vërtetë. Dhe jo vetëm kaq, por mjaft i kërkuar, madje.
“Nuovo Mario” është njëri nga restorantet më të mira italiane në qytet, i vendosur në qytetin e Berlinit, në një nga zonat më të frekuentuara.
Ky restorant është kthyer në atraksion të vendasve dhe të gjithë vizitorëve të huaj. I njohur për kuzhinën dhe për stafin e orientuar drejt shërbimit delikat, restoranti është tashmë sinonim i komoditetit, dizajnit dhe shijes.
Kuzhina është mjaft e pasur, mirëpo picat dhe pastat i duan më së shumti, por edhe tavë e kosit e mishi i qengjit të pjekur me oriz nga kuzhina tradicionale shqiptare pëlqehen nga gjermanët.
Kulinaria tashmë konsiderohet si art i të gatuarit. Këtë epitet dëshirojnë ta gëzojnë të gjithë ata që dëshirojnë të merren me këtë veprimtari. Kur pyetet se pse vendosi të bëhej pikërisht një sipërmarrës i suksesshëm në fushën e gastromisë, Fatosi përgjigjet se kreativiteti për t’i shndërruar pijet, ushqimin dhe shërbimin në art e ka ndihmuar ta arrijë këtë sukses.
“Përgjigjja është e thjeshtë. Ne kemi ditur të shndërrojmë pijet, ushqimin dhe shërbimin në art. Gjithçka është kombinuar në mënyrë të përsosur. Intuita jonë nuk gabon dhe në hollësitë më të vogla. Asgjë nuk është pjesë e spontanitetit dhe rastësisë, por e një pune të mirëstudiuar. Është kjo arsyeja që “Nuovo Mario” nga 8000-9000 restorantet premium që ka Berlini, vlerësohet si nga më të pëlqyerit.
Mund të them se, kuzhina nuk ka të bëjë me gatimin, do t’ia zbehnim shijen gjithçkaje nëse do ta konsideronim vetëm kaq. Ajo lidhet me krijimin, me atë se çfarë mund të bësh. Kuzhina është art. Pasioni është kryefjala e gjithës, ndërsa vullneti çelësi”, thotë Fatosi në një intervistë për Telegrafin.
Fatosi është nënkryetar i rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani, ku nënkryetar është edhe Bekim Borovci, derisa kryetar është Mustafë Abazi. Ky i fundit tregon për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët.
Xhafolli ka dy dekada që jeton dhe vepron në Berlin të Gjermanisë, ku në këtë qytet ai ka në pronësi tre restorante, në të cilat ka të punësuar 65 punëtorë./Katror.info