Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë pritet të publikohen më shpejt se në proceset e mëparshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha gjatë një konference për media se fillimisht do të numërohen vetëm votat për subjektet politike, pa përfshirë votat për kandidatët për deputetë, çka do të mundësojë një publikim më të shpejtë të rezultateve të para, shkruan Katror.info.
“Po shpresojmë që brenda një kohe të shpejtë të arrijmë t’i kemi rezultatet preliminare nga vendvotimet për subjektet politike”, deklaroi Elezi.
Ai nuk dha një afat të saktë për shpalljen e rezultateve, por konfirmoi se të dhënat do të përditësohen në ueb-faqen e KQZ-së sapo të fillojnë të ngarkohen nga zyrtarët në qendrat e votimit.
“Sigurisht që do t’ju njoftojmë, por do ta shihni edhe në web-faqen e KQZ-së kur të dhënat nga vendvotimet fillojnë të shfaqen dhe përditësohen”, shtoi ai.
Elezi theksoi se shpejtësia e procesit do të varet nga ritmi i numërimit dhe ngarkimi i të dhënave nga qendrat e votimit./Katror.info