Kristian Gashi dhe Florian Zeka, për shumë njerëz, janë dëshmi se kufizimet fizike nuk i përcaktojnë kufijtë e asaj që mund të arrihet.
Kjo është historia e dy miqve që kanë tejkaluar pengesa, duke u bërë frymëzim për të tjerët. Kur Floriani, një maratonist i verbër, vendosi të sfidojë veten në një garë 10-kilometërshe, ishte Kristiani apo Kristi siç e quajnë, ai që zgjati dorën për ta mbështetur.
”Po kjo ka qenë hera e parë në Kosovë që një person i verbër ka marrë pjesë në një maratonë dhe i ka vrapu 10 kilometra. Me sukses nuk kemi qenë të fundit, me thanë ka pas mbrapa neve edhe 30 ose 40 persona të tjerë. Kjo është një histori, me thënë e kemi shkru historinë, për shkak se nuk është veç pjesa e vrapimit që e kemi bërë. Nuk dyshoj hiç që ne e kemi hapë rrugën për të tjerë persona me aftësi të kufizuara dhe të verbër, jo vetëm në 10 kilometra, po qysh e thashë ne jemi tu vazhdu kemi me ardhë edhe me risi të tjera të aktiviteteve bashkë me Florianin”, thotë Kristiani.

Dhe kështu, nën udhëheqjen e Kristit, Floriani jo vetëm që e përfundoi Maratonën e Prishtinës, por e bëri këtë me një përkushtim dhe vendosmëri të papërshkrueshme edhe përkundër sfidave.
”Përvoja ka qenë shumë sfiduese për faktin që unë disa ditë para maratonës, edhe u pata lëndu dhe kam qenë disi i hospitalizum dhe kjo ma ka pamundësu pothuajse edhe me marrë pjesë, po patëm vullnet, patëm vendosmëri edhe e kryem me sukses maratonën. Atletika për të verbër e ka edhe në histori të gjatë suksesin në arenën ndërkombëtare dhe kjo në vendin tonë nuk ka qenë asnjëherë e pranishme, as si ide kështu që, me Krisianin kemi arritë për herë të parë që t’ia dëshmojmë shoqërisë tonë që edhe një i verbër mund të jetë maratonist po edhe një shoqërues si Kristiani që mund ta shoqërojë një të verbër pa problem, se shoqëria jonë hala është në atë fazën e paragjykimeve, po ne kemi arritë me dëshmu me sukses edhe tash besoj që në maratona tjera kemi me qenë shumë më mirë”, shprehet Floriani.

Kjo nuk është hera e parë që Kristi i ka qëndruar pranë Florianit. Ata kanë ngjitur bashkë majën e Gjeravicës prej mbi 2600 metra të lartë, duke dëshmuar se edhe sfidat më të vështira mund të tejkalohen kur ke dikë që beson në ty.

”Na kemi fillu me aktivitete shumë më herët, me klubin Alpin Prishtina në vitin 2016 edhe e kemi pa që të pamurit nuk është pengesë. Ai është veç një element që Floriani nuk e ka, ndërsa ka shumë aftësi të tjera. Me thanë përpos vrapimit, para se me dalë te vrapimi, mundët me bo ngjitje, edhe shumë aktivitete të tjera, me e kuptu kështu realisht ka të bëjë me Florianin, por edhe të gjithë personat e tjerë me aftësi të kufizume ose që kanë diçka që ju pengon, nuk domethënë që nuk mundeni me bë aktivitete tjera”, thotë Kristi.
Gjeravica si maja më e lartë e Kosovës, iu duk sfiduese Florianit, por me mbështetjen e Kristit tani kjo po i shërben si një motiv që ëndrrat duhet realizuar.
”Gjeravicës ju kam frikësu për shkak që pata dëgju shumë njerëz që kanë qenë më herët edhe disi ju pata frikësu që ndoshta nuk mundem me arritë. Po, ata e kam arritë me Kristianin dy herë. Edhe kjo më ka bind që duhet të kemi vendosmëri në ëndrrat tona, në dëshirat tona. Po si Kristiani, si Klubi Alpin Prishtina kanë arritë me ofru diçka që në vendet e rajonit nuk e kanë. Pra do të thotë, me bo edhe alpinizëm për të verbër, që është diçka ekskluzive e jona në Kosovë. Edhe kjo na ka ndihmu shumë për të njohur njëri-tjetrin, për t’i njohur aftësitë e njëri-tjetrit”, shton Floriani.

Ky shembull i miqësisë së tyre shërben si model për të tjerët dhe gjithashtu është një thirrje për të gjithë se personat me aftësi të kufizuara duhet të përfshihen në çdo sferë të jetës, veçanërisht në aktivitete fizike.
”Idea jonë është me i përfshi edhe këta në jetën tonë të cilën na e bëjmë, jo vetëm në aktivitete rekreative, sportive, po edhe në punë dhe në gjithçka tjetër, me qenë pjesë e shoqërisë, ideja përfundimtare është gjithëpërfshirja e tyre në shoqëri, domethënë pa dallim në, aktivitete sportive, rekreative sportive dhe me punë ose me çkado qoftë tjetër. Me dal me shëtit, me pi një kafe bashk me këta, me hëngër një drekë, kështu që ju sugjerojmë krejtve që me u kujdes edhe me i bo pjesë të jetës tonë, këta janë vjeç pjesë e jetës tonë, por me i përkrahë dhe me i bo me i afru sa më shumë edhe me qenë bashkë me neve”, shton tutje Kristiani.

Ajo që ju duhet më së shumti personave me aftësi të kufizuara në mënyrë që të jenë pjesë aktive e shoqërisë është rregullimi i infrastrukturës nga institucionet në mënyrë që ata të mos ndjehen të përjashtuar.
”Ata kanë nevojë për me ju kriju kushte edhe nëpër objekte, edhe nëpër qytete, edhe rrugët edhe tjerat, kështu që besojmë të ardhmen edhe shteti, na bashkë bashkë me juve dhe mediave, me kriju kushte të mira për këta dhe për krejt njerëzit me nevoja të veçanta”, shprehet Kristi.

”Po, tash e mira e vendit tonë është që ne jemi anëtarësu në Komitetin Paralimpik. Edhe tash ne mund të garojmë edhe në nivel olimpik, në Lojërat Olimpike që kanë qenë sivjet në Francë, në 2028 do të jenë në Los Angeles edhe ne po bëjmë përpjekje maksimale që ta prezantojmë Kosovën në mënyrën më të mirë. Ata që e shohin veten që kanë një aftësi, një talent, është mirë që të bëjnë, çmos që ta dëshmojmë se shoqëria jonë ka nevojë, që ne t’jua dëshmojmë që mund të arrijmë, për shembull, si rasti i maratonës apo edhe raste tjera. Është mirë që institucionet të bashkëpunojnë në mes vetes, si ato publike, si ato OJQ-të që të krijojnë kushte sa më të mira për persona me nevoja të veçanta’’, përfundon Floriani.
Kristiani dhe Floriani kanë treguar se çfarë mund të arrihet kur ndihma dhe vullneti bashkohen, por tani është radha e shoqërisë dhe institucioneve për të ndihmuar në ndërtimin e një mjedisi ku çdo individ mund të realizojë potencialin e tij të plotë. Kjo është historia e një maratone që nuk ka të bëjë vetëm me arritjen e disa kilometrave, por me transformimin e qasjes sonë ndaj njerëzve dhe përpjekjes për të pasur mundësi të barabarta për të gjithë. /Katror.info
Edicionin e plotë #67 e gjeni këtu!🙂

Përgatiti:
