Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Paris, ka folur për angazhimin dhe rëndësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, këto deklarime ai i bëri si i ftuar nderi në darkën e organizuar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të larta të politikës, diplomacisë dhe ekonomisë franceze.
“Ai tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë të BE-së dhe shteteve anëtare të tij. Në këtë kontekst, ai theksoi se zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme të BE-së shkojnë krah për krah: vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet me sukses nga brenda; këto janë mundësi dhe kushte të ndërsjella”, citon njoftimi qeveritar.
Më tej, Kurti ka folur edhe për rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike në avancimin e mëtejshëm të shoqërive dhe përballjen me sfidat globale.
Sot, kryeministri në detyrë merr pjesë në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, forum ky që mbledh liderë nga e gjithë bota./RTK/Katror.info









