Në Kuvendin e Kosovës të dielën, më 26 tetor, do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, konfirmoi për Telegrafin se ftesa tashmë është dërguar tek të gjithë deputetët për seancë të jashtëzakonshme.
“Po, kemi bërë kërkesë dhe tashmë është dërguar ftesa tek të gjithë deputetët për seancë të jashtëzakonshme për të dielën, ora 10:00, me një pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Më 11 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë, deri më tani nga LVV nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.
Nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.
Kjo, pasi LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend për të formuar Qeverinë, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse./Telegrafi/Katror.info













