Kur bota mësoi për vdekjen e Papa Françeskut të hënën në mëngjes, ishte një kardinal irlandezo-amerikan – pak i njohur për publikun e gjerë ai që e dha lajmin.
Kardinali Kevin Farrell njoftoi se Papa kishte “kthyer në shtëpinë e Atit” dhe menjëherë pas kësaj mori përsipër një nga detyrat më të rëndësishme në karrierën e tij: atë të kamelengos, zyrtarit që udhëheq Vatikanin gjatë periudhës pas vdekjes ose dorëheqjes së papës, shkruan BBC, transmeton Katror.info.
Papa Françesku e kishte emëruar Farrell-in në këtë rol më 2019, dhe ai do ta mbajë këtë pozitë gjatë periudhës Apostolica Sedes Vacans – që është koha nga momenti i vdekjes së papës deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij.
Përveç detyrave administrative, Kardinali Farrell do të ketë një rol kyç edhe në ceremonitë tradicionale të zisë për nder të Papa Françeskut.
I lindur në vitin 1947 në Dublin, Farrell ndoqi studimet në Universitetin e Salamankës në Spanjë dhe më pas në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, sipas të dhënave të Vatikanit.
Në total, 77-vjeçari ka kaluar mbi 30 vjet duke punuar në shërbim të kishës në Shtetet e Bashkuara.
Farrell u emërua Ipeshkëv i Dallasit në vitin 2007 dhe shërbeu në këtë rol deri në vitin 2016, kur Papa Françesku e thirri në Vatikan për të udhëhequr dikasterin e ri që merret me kujdesin baritor për familjet. Me këtë emërim, ai u ngrit edhe në gradën e kardinalit.
Vite pas emërimit të tij si kameleng, në vitin 2023, Papa Françesku e ngarkoi Kardinalin Kevin Farrell edhe me dy pozita të tjera të rëndësishme: president i Gjykatës së Lartë të Shtetit të Vatikanit dhe president i Komisionit për Çështje Konfidenciale.
Në rolin e kamelengos, Kardinali Farrell do të ketë detyrën të organizojë konklavën – procesin e zgjedhjes së papës së ri nga kardinalët votues.
Nga pikëpamja formale, një kameleng mund të zgjidhet edhe vetë si papa, dhe kjo ka ndodhur dy herë në histori: me Gioacchino Pecci (Papa Leoni XIII) në vitin 1878 dhe me Eugenio Pacelli (Papa Piu XII) në vitin 1939.
Përveç detyrave organizative, Farrell do të udhëheqë edhe momentet e para pas vdekjes së Papa Françeskut: ai do të certifikojë zyrtarisht vdekjen e tij, do të vendosë trupin në arkivol dhe më pas do të udhëheqë procesin që do ta bartë trupin e papës nga kapela e rezidencës Domus Santa Marta në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Sipas njoftimeve nga Vatikani, kjo ceremoni mund të zhvillohet që të mërkurën në mëngjes. /Katror.info
Përgatiti:
