Nuk është e nevojshme të jemi nga Amerika, e aq më pak nga Nashville, për të vlerësuar muzikën country dhe historinë e saj të pasur, aq më pak, nuk duhet të jemi prej andej për të kuptuar ndikimin e “Man In Black” (Njeriut me të Zeza) në muzikë dhe kulturën amerikane e deri në një masë edhe botërore – mjafton të dini një emër – Johnny Cash.
Shumë pak figura mundë të mendohen që kanë pasur ndikim kaq të madh dhe jetëgjatë në kulturën burimore të muzikës Amerikane.
Johnny Cash u shndërrua në një figurë imponuese dhe me ndikim të jashtëzakonshëm. Ai nuk tingëllonte si muzika tipike e country nga Nashville dhe as nuk kishte pamjen e një këngëtari Rock & Roll. Përkundrazi, Cash krijoi një nënzhanër unik, i vendosur diku mes Folk-ut, Rock & Roll-it dhe shpirtit të lodhur të Country-t.
Johnny Cash ka tejkaluar kufijtë e muzikës Country dhe Western, duke tërhequr audienca nga zhanre si pop, blues dhe folk, shpesh mes dëgjuesve që nuk preferojnë tingujt e pastër të muzikës Country.
Anëtar i Country Music Hall Of Fame (Sallës së Famës së Muzikës Country) që nga viti 1980, ai kishte aftësinë unike për të ndërthurur traditat e muzikës rurale, veçanërisht gospel (ungjillin) dhe baladat, me inovacionin dhe eksperimentimin e frymëzuar nga burime bashkëkohore
Johnny Cash ishte i adhuruar nga muzikantët e të gjitha zhanreve, nga aktorët e të gjitha filmave, nga rebelët e të gjitha kauzave, nga kamionistët e të gjitha autostradave, nga patriotët e të gjitha kombeve, nga politikanët e të gjitha partive nga policët e të gjitha shteteve, e para se gjithash nga të burgosurit e të gjitha burgjeve.
I lindur në Kingsland, Arkansas, Johnny Cash erdhi në jetë si biri i Ray Cash, një fermer, dhe Carrie Rivers Cash. Gjatë kulmit të Depresionit të Madh, familja e tij përfitoi nga një program i ri bujqësor, një eksperiment në Socializmin Amerikan i krijuar nga administrata e presidentit Franklin D. Roosevelt.
Të paqëndrueshëm financiarisht, familjes Cash iu dhanë 20 hektarë tokë dhe një shtëpi në koloninë bujqësore Dyess, në pjesën verilindore të Arkansasit. Johnny Cash u rrit në një mjedis fetar karizmatik, me rrënjë nga të dyja anët në misionarë dhe predikues baptistë. Muzika Gospel (e ungjillit) ishte një element thelbësor në familjen e tij.
Kur ishte katër vjeç, prindërit e blenë një radio me bateri, pasi në Dyess nuk kishte energji elektrike. Kështu, si fëmijë Cash u ekspozua ndaj pionierëve të muzikës country. Në librin “Stars of Country Music”, Frederick E. Danker shkruan: “Për familjen Cash, himnet e vjetra dhe versionet e reja të country muzikës ishin një pjesë qendrore e jetës së tyre.”
Në moshën 12-vjeçare, Cash filloi të shkruante këngët e tij, të frymëzuara nga muzika country që dëgjonte në radio. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1950, ai u zhvendos në Detroit për të punuar në një fabrikë makinash. Megjithatë, me shpërthimin e Luftës së Koresë, ai u regjistrua në Forcat Ajrore të SHBA-së. Pikërisht gjatë shërbimit ushtarak, Cash bleu kitarën e tij të parë dhe filloi të mësonte të luante, duke hedhur themelet e një karriere që do të ndryshonte historinë e muzikës Country në Amerikë.
Pas shërbimit të tij në Forcat Ajrore, Johnny Cash punoi si shitës pajisjesh në Memphis, Tennessee. Ndërkohë, duke ndjekur pasionin për muzikën, ai u bashkua me disa mekanikë—Marshall Grant dhe Luther Perkins, të cilët punonin me vëllain e tij të madh, Roy. Muzikantët e rinj krijuan shpejt një lidhje të ngushtë, duke kaluar kohë së bashku me familjet e tyre dhe duke luajtur muzikë në shtëpitë e njëri-tjetrit, kryesisht muzikë ungjillore.
Cash, i cili kishte blerë një kitarë të vjetër për pesë dollarë gjatë shërbimit ushtarak në Gjermani, u bë drejtues i grupit. Ata zhvilluan stilin e tyre unik, duke ndërthurur blues me muzikën Country – Western përmes performancave live.
“Ai ishte një këngëtar i mirë, jo një këngëtar i shkëlqyer,” shkroi Marshall Grant në autobiografinë e tij të vitit 2006, “I Was There When It Happened: My Life With Johnny Cash” (Isha atje kur ndodhi: Jeta ime me Johnny Cash)”. Por kishte fuqi të papërshkruar në zërin e tij.”

Më vonë, në vitin 1954, Cash, Grant dhe Perkins bënë një vizitë të paparalajmëruar në Sun Records, studion ku një tjetër muzikant nga Memphis, Elvis Presley, kishte regjistruar këngën e tij të parë atë korrik. Treshja kërkoi një audicion me producentin Sam Phillips, i cili fillimisht ngurroi, por më pas pranoi t’i dëgjonte. Edhe pse Phillips e pëlqeu tingullin e tyre, ai nuk ishte i kënaqur me përzgjedhjen e tyre të këngëve ungjillore, duke menduar se ato kishin një treg të kufizuar. Ai u kërkoi të ktheheshin me një këngë origjinale.
Cash dëgjoi këshillat e Sam Perkins, dhe u kthyen në studio me këngën , “Hey Porter”. Phillips e pëlqeu melodinë, si dhe përpjekjen pasuese të grupit, “Cry, Cry, Cry”, (Vajto, vajto, vajto) dhe e nënshkroi atë me emrin e sapokrijuar Johnny Cash and the Tennessee Two.
“Hey Porter” u publikua në maj të vitit 1955 dhe më vonë po atë vit, “Cry, Cry, Cry” arriti kulmin në vendin e 14-të në listat e Billboard.
Hitet e tjera pasuan, duke përfshirë “So Doggone Lonesome” (Kaq i vetmuar) dhe “Folsom Prison Blues” (Blues nga burgu Folsom) të cilat u renditën në dhjetëshen më të mirë. Megjithatë, fama e vërtetë erdhi në vitin 1956, kur Cash shkroi dhe publikoi “I Walk the Line” (Unë eci në linjë) një këngë që e ngriti në vendin e parë në top listat e muzikës country dhe shiti mbi 2 milionë kopje. “Walk The Line” si shumica e këngëve të Cash-it, përcjell histori personale.
(Ti ke një mënyrë për të më mbajtur në anën tënde / Ti më jep shkak për dashuri që nuk mund ta fsheh / Për ty e di që madje do të përpiqesha ta ktheja valën.)
Teksti i këngës flet për t’i rezistuar tundimit, për të qenë i përgjegjshëm dhe për t’i qëndruar besnik Vivian Libertos gjatë martesës së tij të parë. Megjithatë, Johnny dhe Vivian u divorcuan.
Më vonë, Vivian Liberto shkroi një libër të titulluar “I Walked the Line”, ku tregonte përvojën e saj gjatë martesës me Cash-in. Në vitin 1957, ai publikoi albumin e tij debutues, Johnny Cash with His Hot & Blue Guitar, duke forcuar më tej famën e tij me hite si “Ballad of a Teenage Queen” (Baladë e një mbretëreshe adoleshente) dhe “Don’t Take Your Guns to Town” (Mos i mer armët në qytet). Tingulli i tij inovativ përziente elemente nga country, rock, blues dhe gospel.

Më 1960, ai nënshkroi kontratë me Columbia Records. Në skenë, ai shoqërohej shpesh nga June Carter, e cila më vonë bëhet bashkëshortja e tij. June bashkë-shkroi një nga këngët e Cash më të famshme, “Ring of Fire” (Unaza e zjarrit, 1963). Kënga shtrin metaforën e dashurisë duke krahasuar pasionet me një “unazë zjarri”.
Në mesin e viteve 1960, Cash publikoi disa albume konceptuale. “Bitter Tears” (1964) ishte një album i fokusuar në gjendjen e amerikanëve indigjenë dhe trajtimin e tyre nga qeveria.
Edhe pse fillimisht pati sukses në klasifikime, albumi hasi në rezistencë nga disa fansa dhe stacione radiofonike për shkak të qëndrimit të tij mbi çështjet sociale. Në vitin 2011, u botua një libër mbi këtë album, i cili çoi në një ri-regjistrim të këngëve nga artistë bashkëkohorë dhe në realizimin e një filmi dokumentar mbi përpjekjet e Cash-it me këtë projekt.
Ndërkohë, albumi “Sings the Ballads of the True West” (1965) ishte një eksperiment muzikor në formatin e një albumi të dyfishtë, ku Cash përziente këngë autentike të epokës të pushtimit të perëndimit amerikan me rrëfime të tij të folura.
Krahas muzikës, Cash tentoi të ndërtonte edhe një karrierë në aktrim, duke filluar me filmin “Five Minutes to Live” (1961) dhe shfaqje televizive me temë të Westernit.
Cash filloi të abuzonte me drogën dhe alkoolin gjatë periudhës me Tennessee Three, dhe lufta e tij me varësinë përfundimisht e çoi në rrethana të vështira. Në vitin 1967, ai u gjet në gjendje kritike, gati para vdekjes nga një oficer policie në një fshat të vogël në Gjorgjia.
Kishte edhe incidente të tjera. Më vonë, gjatë një turneu po atë vit, ai u arrestua në El Paso, Teksas, nga një ekip për luftë kundër narkotikëve.
Oficerët dyshuan se ai po kontrabandonte heroinë nga Meksika, por në vend të kësaj, ata gjetën në kutinë e kitarës së tij 688 kapsula Dexedrine (amfetaminë) dhe 475 tableta Equanil (qetësues). Meqenëse këto ishin barna me recetë dhe jo substanca të jashtëligjshme, Cash u dënua me kusht. Ai u dënua edhe për shkaktimin e një zjarri pyjor në një park në Kaliforni për të cilin u dënua më 125 mijë dollarë gjobë.
“Kam marrë të gjitha barnat që mund të merren dhe kam pirë gjithçka,” kujtonte Cash.
“Të gjithë thoshin se Johnny Cash kishte marrë fund, sepse po ecja nëpër qytet me vetëm 65 kilogram. I ngjaja një të vdekuri në këmbë.”
June Carter, gruaja e tij e dytë dhe bashkëshoqëruese në grup e ndihmoi të ri përqendrohej në besimin e tij të krishterë dhe të merrte trajtimin e nevojshëm për varësinë nga droga, duke sjellë një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën e tij.

Në vitin 1969, Cash nisi të drejtonte “The Johnny Cash Show”, një program televiziv muzikor që shfaqi artistë të mëdhenj si Bob Dylan dhe Louis Armstrong. Përveç muzikës, emisioni i tij u bë një platformë për të trajtuar çështje sociale, duke përfshirë luftën në Vietnam, reformën e burgjeve dhe të drejtat e amerikanëve indigjenë.
Po atë vit, kur shfaqja e tij debutoi, Cash fitoi dy çmime Grammy për albumin e tij live “Johnny Cash at Folsom Prison” (Johnny Cash në burgun Folsom). Ky album i vitit 1968 i realizuar në Burgun shtetëror të Kalifornisë u vlerësua nga kritika dhe pati sukses të madh komercial, duke ndihmuar në ringjalljen e popullaritetit të tij.
Megjithëse Johnny Cash kultivoi një imazh romantik të një jashtëligjshmi, ai kurrë nuk vuajti një dënim me burg. Pavarësisht se u arrestua shtatë herë për kundërvajtje, ai kaloi vetëm një natë në burg çdo herë.

Më 11 maj 1965, ai u arrestua në Starkville, Mississippi, pasi kishte hyrë në pronë private natën vonë për të mbledhur lule. Ky incident u bë frymëzim për këngën e tij “Starkville City Jail”, të cilën ai e diskutoi në albumin e tij “Live At San Quentin” të regjistruar drejtpërdrejt në Burgun shtetëror San Quentin në Kaliforni.
Në 1972 Cash performoi në burgun Österåker në Suedi. På “Österåker” (Në Österåker) dhe albumi u publikua në vitin 1973.
Në vitin 1976, një koncert në burgun shtetëror të Tenesit u filmua për transmetim në TV. Johnny Cash krijoi një traditë të pasur me koncertet në burgje, Në krahasim, koncertet e burgut ishin shumë më të suksesshme sesa albumet e tij të mëvonshme live si “Strawberry Cake” i realizuar në Londër dhe “Live in Madison Square Garden”, në New York.
Dekada që pasoi i solli edhe më shumë sukses artistit, pasi karriera muzikore e Johnny Cash lulëzoi me publikimin e këngëve hit si “A Thing Called Love” (1972) dhe “One Piece at a Time”(1976).
Ai gjithashtu luajti krah Kirk Douglas në filmin “A Gunfight” (1970) dhe shkroi muzikë për “Little Fauss and Big Halsy” (1970). Në vitin 1975, publikoi autobiografinë e tij, “Man in Black” që u bë bestseller.
Në vitin 1980, në moshën 48-vjeçare, Cash u bë personi më i ri që u pranua në Country Music Hall of Fame. Ashtu si në dekadën e mëparshme, ai vazhdoi të kishte një kalendar të ngjeshur në vitet ’80 dhe bashkëpunoi gjithnjë e më shumë me muzikantë të tjerë.
Në vitin 1986, ai u bashkua me kolegët e tij nga Sun Records – Carl Perkins, Jerry Lee Lewis dhe Roy Orbison – për të realizuar albumin e suksesshëm The Class of ’55.
Ndërkohë, ai krijoi grupin “The Highwaymen” së bashku me Kris Kristofferson, Willie Nelson dhe Waylon Jennings, duke publikuar tre albume në periudhën 1985–1995.
Në fillim të viteve ’90, Cash hyri në studio me U2 për të regjistruar këngën “The Wanderer”, e cila u përfshi në albumin e grupit, Zooropa (1993).
Gjatë gjithë kësaj kohe, problemet shëndetësore të Cash-it dhe betejat e tij të vazhdueshme me varësinë ishin gjithmonë të pranishme. Pas një operacioni abdominal në vitin 1983, në vitin 1988, Cash iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, kësaj here një operacioni në zemër me bypass të dyfishtë.
Por, si gjithmonë, Cash vazhdoi. Ai u përfshi në Rock & Roll Hall of Fame në vitin 1992 dhe, në vitin 1994, bashkëpunoi me producentin muzikor Rick Rubin për të publikuar “American Recordings”.
Ky album akustik me 13 këngë, që përziente baladat tradicionale me kompozime moderne, i dha Cash-it një audiencë të re dhe i siguroi një çmim Grammy në vitin 1995 për albumin më të mirë bashkëkohor folklorik. Ai e pasoi këtë sukses me një tjetër album të prodhuar nga Rubin, Unchained (1996), dhe botoi kujtimet e tij të dyta, “Cash: The Autobiography”, në vitin 1997.
Shëndeti fizik i Cash-it u përkeqësua në fund të viteve 1990. Fillimisht, ai u diagnostikua me sindromën neurodegjenerative Shy-Drager, por më vonë kjo diagnozë u korrigjua në neuropati autonome. Sipas Rolling Stone, ai u shtrua disa herë në spital për shkak të pneumonisë, përfshirë një rast në tetor të vitit 2001, kur qëndroi në koma për tetë ditë.
Megjithatë, ai vazhdoi të krijonte muzikë. Cabin Studio në Hendersonville, Tennessee, ishte projekti i tij i katërt me Rick Rubin.
Dekada e fundit të jetës së tij, 1994–2003, ishte një shpërthim i paimagjinueshëm në krijimtarinë dhe performancën e tij, sidomos me albumet “American I” deri te “American IV”, e madje edhe pas vdekjes me “American V” dhe “American VI”. Këto albume përmbajnë përmbledhje krijuese të këngëve të performuesve të tjerë nga të gjitha zhanret dhe periudhat.
Johnny Cash u dha një formë të papërfytyrueshme këngëve si “Personal Jesus” nga grupi elektro-punk Depeche Mode, “The Mercy Seat” nga Nick Cave, “Bird on a Wire” nga Leonard Cohen, dhe veçanërisht “Hurt” nga Nine Inch Nails. Në këto interpretime, Johnny Cash arriti të zbulojë emocione të fshehura brenda këngëve, emocione që as vetë autorët origjinalë nuk kishin qenë në gjendje t’i eksploronin.
Hiti i fundit i madh i Johnny Cash ishte “Hurt”, këngë e shkruar nga Trent Reznor i Nine Inch Nails në vitin 1995, e cila u përfshi në albumin American IV. Kënga fitoi çmimin “Single of the Year” në CMA Awards 2003, ndërsa videoklipi shoqërues u vlerësua me çmimin Grammy për videon më të mirë muzikore në format të shkurtër në vitin 2004. Megjithëse Reznor fillimisht e konsideroi versionin e Cash “invaziv”, ai u ndje i nderuar, që legjenda e muzikës kishte zgjedhur të eksploronte veprën e tij. Me kalimin e kohës, ai u dashurua me videon. “Ishte si një përqafim i ngrohtë,” tha ai për Digital Spy në vitin 2008. “Edhe tani më rrëqethet lëkura kur mendoj për të.”
Shëndeti i Cash-it vazhdoi të përkeqësohej me kalimin e kohës. Ai u shkatërrua emocionalisht kur dashuria e jetës së tij, June Carter Cash, ndërroi jetë në maj të vitit 2003, por ai vazhdoi të punonte. Me producentin Rick Rubin në krah, këngëtari regjistroi atë që do të bëhej albumi “American V, A Hundred Highways”.
“Pasi June nuk ishte më, ai kishte vullnetin për të jetuar vetëm aq sa t’i përfundonte këto regjistrime, por kjo ishte pothuajse e gjitha,” kujtoi Rubin më vonë. “Një ditë pasi vdiq June, ai tha: ‘Duhet të kem diçka për të bërë çdo ditë. Përndryshe, nuk ka arsye që të jem këtu.”
Cash përfundoi incizimin e tij të fundit vetëm një javë para se të ndërronte jetë më 12 shtator 2003, nga komplikimet e lidhura me diabetin, katër muaj pas vdekjes së bashkëshortes së tij, June Carter. Ai ishte 71 vjeç.
Johnny Cash është ndër artistët më të vlerësuar në histori, me mbi 200 çmime artistike, duke filluar nga zhanri country e deri te gospel. Ai ka shkruar ose kënduar mbi 1000 në më se 100 albume, përfshirë albumet live, kompilacione ose kolonat zanore për filma, ka luajtur në më shumë se 20 filma dhe seriale televizive dhe është autor i 7 librave, kryesisht autobiografikë. Ka qenë frymëzim për shumë këngëtarë, përfshirë edhe Bob Dylan, i cili, falë tij, kaloi nga folku akustik në atë elektrik.
Trashëgimia e tij në Amerikë ndihet në çdo cep të Arkansasit dhe gjetkë në botë. Në shenjë njohjeje për mbështetjen e tij të përjetshme ndaj Fshatrave të Fëmijëve SOS, familja e Johnny Cash-it ftoi miqtë dhe fansat të dhurojnë për Fondin Përkujtimor të Johnny Cash, në kujtim të tij. Ai kishte një lidhje personale me fshatin SOS në Diesen, pranë liqenit Ammersee në Bavari, afër vendit ku ishte vendosur si ushtar (GI), si dhe me fshatin SOS në Barrett Town, pranë Montego Bay, afër shtëpisë së tij të pushimeve në Xhamajka.

Rruga kryesore në Hendersonville, Tennessee, Highway 31E, njihet si “Johnny Cash Parkway”. Një muze për të u themelua më 26 prill 2013, në qendër të Nashville.
Nga data 2 deri më 4 nëntor 2007, Festivali “Johnny Cash Flower Pickin’” u mbajt në Starkville, Mississippi, ku Cash ishte arrestuar më shumë se 40 vjet më parë dhe kishte kaluar natën në burgun e qytetit më 11 maj 1965. Ky incident e frymëzoi atë të shkruante këngën “Starkville City Jail”. Festivali u organizua për të nderuar jetën dhe muzikën e tij, me synimin për t’u bërë një traditë vjetore.
Një pullë postale me botim të kufizuar “Forever” për nder të Cash-it doli në shitje më 5 qershor 2013. Pulla përmban një foto promovuese të Cash-it të realizuar rreth publikimit të vitit 1963 të “Ring of Fire”.
Më 14 tetor 2014, qyteti i Folsom zbuloi fazën e parë të “Shtegut Johnny Cash”, gjatë një ceremonie me prerje shiriti, ku mori pjesë edhe Rosanne Cash. Përgjatë shtegut, tetë vepra arti monumentale do të tregojnë historinë e Johnny Cash-it, lidhjen e tij me burgun e Folsom-it dhe karrierën e tij legjendare muzikore. Projekti përfshin gjithashtu një park të trashëguar prej 2 hektarësh (0,81 ha) dhe mbi 3 milje (4,8 km) shteg biçikletash me shumë përdorime të klasës I. Artistët përgjegjës për skulpturat janë Romo Studios, LLC, me bazë në Sacramento, dhe Studio e Arteve të Bukura Rotblatt Amrany, nga Illinois.
Në vitin 2015, një specie e re tarantule e zezë, e zbuluar pranë burgut Folsom, u emërua Aphonopelma johnnycashi, në nder të tij.
Më 8 shkurt 2018, u shpall albumi “Forever Words”, ku poezitë e Cash-it, të botuara më parë në vitin 2016 në formë libri, u shndërruan në këngë me muzikë.
Më 2 maj 2018, shtëpia e fëmijërisë së Johnny Cash në Dyess u shpall zyrtarisht pjesë e Regjistrit Kombëtar të Vendeve Historike, me emrin “Ferma nr. 266, shtëpia e fëmijërisë të Johnny Cash”./Katror.info
Përgatiti:
