Për herë ta parë shteti ia ka dalë që të shpronësojë një lokalitet arkeologjik. Nëpërmjet Vendimit përfundimtar, Qeveria e Kosovës të mërkurën i ka dhënë fund procesit të shpronësimit të lokalitetit arkeologjik të Dresnikut. Sipas procedurës, brenda dhjetë ditësh Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare dhe pastaj bëhet edhe formalisht punë e kryer. Ky Vendim shihet si më i rëndësishmi deri tash në raport me trashëgiminë arkeologjike. Lokaliteti në periferi të Klinës – i njohur për mozaikët unikë të shekujve të parë, të cilët dolën në dritë një dekadë më parë – tashmë është bërë pronë publike, shkruan Koha.
Ky Vendim i Qeverisë është parë tejet i rëndësishëm nga prijësi i punimeve në këtë lokalitet, arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala. Ai ka thënë se mbi të gjitha ky Vendim siguron investimet e bëra deri më tash në lokalitet, i cili që prej vitit 2016 është futur në Listën e Trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me perimetër 16.72 hektarë. Zonë e mbrojtur llogariten 64 hektarë. Por shtetëzimi kap pak më shumë sesa dhjetë për qind të kësaj hapësire.
Vendimi i Qeverisë është parë si hap i madh edhe nga Ministria e Kulturës. Sipas këtij institucioni, tashmë është hapur rruga për investime në lokalitet.
“Do të vazhdojë zbatimi i Projektit për Ruajtjen e Lokalitetit Arkeologjik, i cili bashkëfinancohet nga MKRS dhe Ambasada e SHBA-së. Në këtë fazë planifikohen hartimi i planeve për konservim, menaxhim dhe promovim të lokalitetit. Me pas, planifikohen investimet për konservimin e pasurive të gjetura në këtë lokalitet dhe përgatitja e infrastrukturës së nevojshme për të ofruar qasje të publikut në lokalitet”, shkruhet në përgjigjen e Kabinetit të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Procesi i shpronësimit të lokalitetit kishte nisur një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës, e cila riktheu vëmendjen te Dresniku. Marrëveshja qe nënshkruar më 26 shtator, kurse në Qeveri, Vendimi që i ka hapur rrugë shpronësimit qe votuar në ditën e 27-të të atij muaji.
Qenë fondet e SHBA-së që kanë rikthyer vëmendjen te Dresniku i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut” siguron 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro) në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës ka ndarë 51 mijë e 830 euro.
Sipas Planit, projekti do të zgjasë prej shatorit të këtij viti deri në qershorin e vitit 2025. Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni trashëgimia kulturore pa kufij “CHwB Kosova” janë partnerët zbatues.
Sensacioni botëror dhe premtimet shumëvjeçare për shpronësim
Shpronësimi në Dresnik, që shtrihej në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013, kur punimeve u printe arkeologu tash i pensionuar, Masar Valla. Qe Valla i cili nxori në dritë sensacionin arkeologjik. Asokohe njëra nga pronaret e tokës së gjetjes që u bë sensacion botëror do të tregohej e gatshme që prona e saj t’i nënshtrohej procesit të shpronësimit. Slagjana Shmiliq, bashkë me bashkëshortin e saj, Desko Srblak, kishin thënë se do t’u përshtaten ligjeve në fuqi të Kosovës për shpronësimin e tokës së tyre.
Srblak, pronare e një pjese të lokalitetit, kishte kujtuar se vjehrri i tij kishte dëgjuar se kjo tokë fsheh diçka, prandaj ajo nuk është punuar. Ka pasur zotime prej zyrtarëve më të lartë se do të shndërrohet në park arkeologjik, përderisa shpronësimi konsiderohej edhe si punë e lehtë. Më 2014 një temë të tille e hapi asokohe ministri i Kulturës, Memli Krasniqi. Pasardhësi i tij në këtë pozitë, Kujtim Gashi, në shtatorin e vitit 2018 do ta deklaronte prerazi se “Dresniku do të shndërrohet në parkun e dytë arkeologjik në Kosovë”. I pari është ai i Ulpianës, i inauguruar më 2016. Asgjë s’u bë për një dekadë.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.
Shpronësimi është kërkesë e kahershme edhe për lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, i vetmi park arkeologjik në Kosovë i inauguruar më 2016. Edhe për shpronësimin e këtij lokaliteti Qeveria është në proces./koha/Katror.info