Manchester United e ka siguruar kualifikimin për në gjysmëfinalen e EFL Cup teksa “Djajtë e Kuq” mposhtën në shtëpi me rezultatin 3-0, Charlton.
Goli e parë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Erik ten Hag u realizua në minutën e 21-të teksa Antony shënoi një kryevepër nga distanca.
Ishte goli i katërt me fanellën e United për sulmuesin brazilian që gjithnjë e më shumë shfaqet i rëndësishëm për United.
Në pjesën e mbetur të ndeshjes, “Djajtë e Kuq” administruan më së miri avantazhin dhe energjitë duke arritur objektivin ndërsa në fund pati vend edhe për dy gola të Marcus Rashford.
Nga ana tjetër, biletën e gjysmëfinales e preu edhe Newcastle. Formën pozitive të kampionatit, “Magpies” e pasqyruan edhe në Kupë duke triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Leicester.
Goli i parë i ndeshjes u shënua në pjesën e dytë nga ana e mbrojtësit Dan Burn ndërsa në të 72-tën dyfishoi Joelington që vendosi kualifikimin./Katror.info