Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar një vendim për të zgjatur misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë (EULEX) deri më 14 qershor 2027.
“Në kontekstin e shqyrtimit strategjik të EULEX në Kosovë, Komiteti Politik dhe i Sigurisë ra dakord që Misioni duhet të zgjatet deri më 14 qershor 2027. Asgjë në këtë vendim nuk duhet të kuptohet si cenim i pavarësisë dhe autonomisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që veprojnë në procedurat gjyqësore në kontekstin e EULEX KOSOVO”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Sipas këtij vendimi, shuma totale e referencës financiare për të mbuluar shpenzimet e EULEX nga 15 qershor 2025 deri më 14 qershor 2027 është 170.866.980 euro. Nga kjo shumë, 64.492.980 euro janë të destinuara për zbatimin e mandatit të EULEX në Kosovë, ndërsa 106.374.000 euro do të përdoren për mbështetje të procedurave gjyqësore të zhvendosura në një shtet anëtar të BE-së./Katror.info