Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, kanë nisur vizitën e tyre zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo vizitës, sipas Maqedoncit, pritet të kulmojë me konsultimet bilaterale të mbrojtjes ku do të vendosen prioritetet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendeve tona.
“Thellimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes mbetet prioriteti kyç i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci në platformën sociale, Facebook.
Ndryshe Qeveria e Kosovës, në mars, kishte miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Pas mbledhjes së ekzekutivit, në një konferencë për media, Maqedonci, kishte potencuar se marrëveshja përbëhet nga pesë pika: planifikimi dhe qeverisja e mbrojtjes, menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes, ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake, bashkëpunimi me qëllim angazhimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe qëndrueshmëria strategjike.
Maqedonci kishte njoftuar se SHBA-ja do ta mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes për një planifikim profesional të mbrojtjes si dhe të qeverisjes së mbrojtjes me synim rritjen e mbikëqyrjes civile dhe të menaxhimit të burimeve humane dhe të mbrojtjes.
Sa i përket ngritjes së kapaciteteve strategjike ushtarake, Maqedonci, kishte thënë se këtu bëjnë pjesë mbrojtja ajrore dhe fusha të tjera që do të jenë në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri./AP/Katror.info