Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se më 6 shkurt 2025 do të mbahet ankandi i parë për vitin 2025, ku do të emetohen Obligacione me maturitet 3 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro. Ky ankand ofron mundësi investimi të sigurt për qytetarët dhe investitorët, duke u garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore.
Obligacionet ofrojnë një mundësi për investim me interes të përcaktuar nga tregu, që do të mbetet i njëjtë për tërë periudhën e maturimit 3-vjeçar, ndërkohë që është tërësisht i liruar nga tatimi. Ky është një opsion i preferuar për ata që kërkojnë investime stabile dhe pa rrezik.
Ftohen të gjithë ata që janë të interesuar të marrin pjesë në ankand, të kontaktojnë Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës për më shumë informacion rreth pjesëmarrjes dhe kushteve të ankandit.
“Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim./Katror.info