Për një oficer policie, trimëria është pjesë e punës. Por kur frika personale vihet përballë një jete në rrezik, guximi merr një kuptim të ri.
Kështu ndodhi me Eric Robbins, oficer në Filadelfia, i cili më 10 dhjetor u përball me një sfidë personale: frikën nga lartësitë. Ai ndodhej në patrullë në lagjen N. 64th Street kur mori një telefonatë shqetësuese — një fëmijë ishte duke ecur mbi një çati të pjerrët të një shtëpie dykatëshe.
“E ndjeja lartësinë edhe nga toka, por thjesht dija se duhej ta merrja nga ajo çati”, i tha Robbins rrjetit ABC 6.
Përmes pamjeve nga kamera e trupit, shihet momenti kur Robbins ngjitet në katin e dytë, hap dritaren dhe me kujdes afrohet pas fëmijës që qëndronte në buzë të çatisë, i pavetëdijshëm për rrezikun. “Nuk besoj se ai e kuptoi fare që isha aty,” tha ai, shkruan GoodNewsNetwork, përcjell Katror.
Familja e fëmijës, e tronditur nga ngjarja, falënderoi oficerin për guximin dhe dhembshurinë. Ndërsa Robbins shtoi: “E kapërceva frikën përnjëherë. Më preku shumë sepse mund të ishte fëmija im — dhe do doja që dikush tjetër të bënte të njëjtën gjë.” /Katror.info