Pasi syzet inteligjente standarde të Ray-Ban nga Meta patën një sukses të papritur, kompania është gati të bëjë hapin tjetër të madh – një version me ekran të integruar.
Sipas një raporti të Bloomberg, Meta është duke zhvilluar një model të ri të syzeve inteligjente Ray-Ban me ekran të integruar, me emrin e koduar “Hypernova”.
Modeli aktual i Ray-Ban Smart Glasses nuk ka ekran, por është i pajisur me kamera të integruara për fotografi dhe video, si dhe altoparlantë dhe mikrofon, të përshtatshëm për thirrjet telefonike. Raporti sugjeron se Meta mund të prezantojë këtë model të avancuar që gjatë këtij viti.
Këto do të jenë syzet e para inteligjente të Meta-s me ekran, por çmimi nuk do të jetë i ulët. Sipas vlerësimeve të punonjësve të Meta-s, çmimi i këtyre syzeve inteligjente do të nisë nga 1000 dollarë, dhe në varësi të konfigurimit, mund të shkojë deri në 1300 apo 1400 dollarë, raporton Android Headlines.
Kjo është një rritje e madhe në krahasim me modelin aktual të Ray-Ban Smart Glasses, të cilat kushtojnë 299 dollarë.
Duke qenë se një nga arsyet e suksesit të syzeve ekzistuese është pikërisht çmimi i përballueshëm, mbetet për t’u parë nëse Meta do të arrijë të ruajë të njëjtin nivel shitjesh me një produkt që fillon nga 1000 dollarë. /Katror.info
Përgatiti:
