Grupi investues, MGX nga Abu Dhabi ka njoftuar se do të investojë dy miliardë dollarë në bursën më të madhe të kriptovalutave në botë, Binance.
“Ky transaksion, investimi i parë institucional në Binance deri më sot, shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e adoptimit të aseteve digjitale dhe forcimin e rolit të blockchainit në financat globale. Është gjithashtu investimi më i madh individual në një kompani kriptovalutave dhe investimi më i madh ndonjëherë i paguar me kriptovaluta (stablecoin-e)”, thuhet në deklaratën e bursës.
Stablecoin-et janë kriptovaluta, vlera e të cilave është e lidhur me monedhat standarde të lëshuara nga bankat, si dollari amerikan, ose me mallra si ari.
“Investimi i MGX në Binance pasqyron përkushtimin tonë për të avancuar potencialin transformues të blockchain-it për financat digjitale. Me rritjen e adoptimit institucional, nevoja për një infrastrukturë dhe zgjidhje blockchain të sigurta, të harmonizuara dhe të shkallëzueshme nuk ka qenë kurrë më e madhe. Binance ka qenë për një kohë të gjatë një forcë shtytëse në inovacionin e kriptovalutave, nga teknologjia e shkëmbimit dhe tokenizimi deri te staking-u dhe pagesat. Së bashku, jemi të përkushtuar për të ndërtuar një ekosistem financiar digjital më gjithëpërfshirës dhe më të fuqishëm”, deklaroi drejtori ekzekutiv i kompanisë nga Abu Dhabi, Ahmed Yahia.
Këtë deklaratë e mbështeti edhe drejtori ekzekutiv i Binance, Richard Teng, duke theksuar se ky investim përfaqëson një pikë kthese të rëndësishme për të gjithë industrinë e kriptovalutave.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një ekosistem më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, me fokus të fortë në përputhshmërinë, sigurinë dhe mbrojtjen e përdoruesve. Binance mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me rregullatorët në mbarë botën për të vendosur politika transparente, të përgjegjshme dhe progresive për industrinë e kriptovalutave”, tha Teng në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të bursës. /Katror.info
Përgatiti:
