Ditët e fundit bota ka ndalur frymën kur një laborator amerikan ofroi para publikut pajisjen më të fundit të Inteligjencës Artificiale që mund të gjeneronte fjalë, ChatGPT-në. Por, ky laborator ka pasur vëmendje të madhe edhe vitet e kaluara me pajisje tjera mahnitëse si Dall-E apo versionet e fundit të GPT. Drejtoreshë e teknologjisë (CTO) në këtë kompani është Mira Murati?
Mira Murati mori vëmendje në prezantimin e DALL-E-2, një gjenerues imazhesh nga Inteligjenca Artificiale. Ajo ishte mysafire e komedianit të njohur Trevor Noah në The Daily Show para një muaji.
Mira është inxhiniere 35 vjeçare e lindur në San Francisko të ShBA-ve. Të dhënat për gjuhët që flet – ashtu si emri dhe mbiemri i saj – lënë të nënkuptohet se ajo ka origjinë shqiptare. Përveç gjuhës angleze, ajo raportohet se flet edhe italishten dhe shqipen, përcjell Nacionale.
Çka tha te Trevor Noah?
Në atë paraqitje, Mira Murati foli për pajisjen DALL-E-2, që sapo kishte lënë pa frymë të gjithë përcjellësit e zhvillimeve në Inteligjencën Artificiale.
DALL-E-2 janë modelet që mësojnë në mënyrë vetjake të gjenerojnë imazhe digjitale nga përshkrimet që i ofrojnë përdoruesit. Edhe kjo teknologji përdor një version të GPT-3shit të famshëm.
Mënyra se si DALL-E-2 gjeneronte imazhe në bazë të përshkrimeve ishte e jashtëzakonshme.
“A po merrni parasysh se çka do të bëjë kjo (Inteligjenca Artificiale) me punët e njerëzve?” – e pyet Trevor Noah, Mira Muratin fillimisht pasi informon që në një garë arti kishte fituar së fundi një piktor që kishte përdorur kompiuterin.
“Teknologjia që po ndërtojmë ka efekt aq të madh në shoqëri por se shoqëria mundet dhe duhet ta formësojë atë…” – përgjigjet Mira. Laboratori OpenAI iu ka dhënë qasje publikut te këto pajisje, dhe kjo që po thotë ka shumë kuptim.
“Ka njerëz të frikësuar që thonë se bota do të përfundojë shkaku i kësaj teknologjie por ndërkohë është edhe për të qeshur, le të jem i sinqertë. Qysh do ta ruani (që të mos keqpërdoret)? Mund ta krijojmë një botë ku asgjë nuk është reale më? Qysh mund ta parandaloni një gjë të tillë?” – e pyet Noah sërish.
“Këto janë pyetje shumë të vështira dhe të rëndësishme. Shoqëria duhet ta shohë për vete. Për këtë arsye e kemi bërë publik DALL-E-2 që ta shohin njerëzit se çka mund të bëjë Inteligjenca Artificiale. Dhe duam që njerëz nga fusha të ndryshme të mendojnë se çka do të thotë kjo…” – përgjigjet mes tjerash ajo.
A dimë diçka tjetër për Mirën?
Të dhënat në Internet për Mira Muratin janë shumë të kufizuara. Ajo ka kryer shkollimin e lartë në Dartmouth College Hanover në ShBA për inxhinieri mekanike. Shkollimin më të hershëm e ka kryer në një shkollë private në San Francisco.
Përveç Open AI ajo ka punuar edhe si menaxhere e prodhimit të Model X në kompaninë Tesla.
Kush është OpenAI?
OpenAI është një laborator kërkimor që konsiderohet të jetë garuesi kryesor i kompanisë tjetër DeepMind, dhe që kryen kërkime në fushën e Inteligjencës Articiale me qëllimin që të promovojë e zhvillojë “Inteligjencë artificiale miqësore (ndaj njerëzimit)”.
Kjo kompani është themeluar në San Francisco në vitin 2015 nga disa investitorë amerikanë, përfshirë Elon Muskun e famshëm.