Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbajti sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”. Këtë vit kur edhe shënohet 100 vjetori i lindjes së aktores Katarina Josipi, artistët u vlerësuan për krijimtarinë e tyre dramaturgjike gjatë vitit 2023.
Autori Astrit Kabashi u shpërblye me çmimin e parë për dramën e tij “Gërrdia”. Çmimin e dytë e pranoi Jeton Neziraj për dramën “Uellsi ka një Mbret” teksa çmimi i tretë iu nda autorit Florent Kurtalanit për dramën me titull “Marshi i hijeve të diellit”. Ministri Çeku përgëzoi fituesit për çmimet e fituara, të cilët përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe dramat do të botohen në një edicion special në gjuhën shqipe, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe këshilltarja politike, Rozafa Imami, drejtoresha për kulturë në MKRS, Jehona Shyti, si dhe disa nga anëtarët e jurisë profesionale për vlerësimin e dramave, e cila ishte në përbërje të dramaturgut Agron Shala, regjisorit Florent Mehmeti, drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, dhe Naser Shatrollit, përfaqësues i MKRS-së si dhe aktorja Ilire Vinca e cila prezantoi procesin vlerësues të 18 dramave të pranuara, thuhet në njoftim./Katror.info