Shpërndarja e protezave të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, e cila ishte planifikuar të përfundonte në fund të këtij muaji, ka përfunduar më herët për shkak të interesimit të madh të pacienteve. Por, për ato gra që janë të interesuar për paruke sasia e tyre vazhdon të jetë në dispozicion të pacienteve.
Vetëm brenda pak ditësh, dhjetëra gra u paraqitën për t’u pajisur me këto proteza, duke bërë që procesi të mbyllet të enjten e kësaj jave.
Edhe këtë vit, presidentja Vjosa Osmani ka dhuruar 640 pako onkologjike për pacientet e prekura nga kanceri i gjirit, të cilat u shpërndanë në Klinikën e Onkologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërsa, nga kjo klinikë kanë bërë të ditur për kp se interesimi i grave për të përfituar nga kjo ndihmë ka qenë jashtëzakonisht i madh.
Fizioterapeutja e Klinikës së Onkologjisë, Valmira Bajrami tregoi se me qëllim që t’u dalin në ndihmë të gjitha të interesuarave kanë punuar përtej orarit të përcaktuar.
“Që nga dita e mërkurë, data 15 tetor, kur është dorëzuar donacioni nga presidentja, që nga ajo ditë kemi filluar ekipi i profesionistëve shëndetësorë brenda klinikës sonë me shpërndarjen e pakove. Në ditët e para ka qenë një fluks jashtëzakonisht i madh i pacienteve, të cilat i kanë kërkuar. Jemi munduar të punojmë edhe jashtë orarit të paraparë nga drejtoria nga ora 08:00-10:00, që do të thotë se kemi punuar gjithë orarin e paradites… Jemi munduar që secilës paciente t’i ndajmë numrin adekuat dhe t’i shërbejmë në mënyrën më të mirë të mundshme. 01’57 Në ditën e shtatë kemi arritur ta përfundojmë procesin e shpërndarjes. As nuk e kemi planifikuar ta përfundojmë kaq shpejt, por ka qenë një fluks dhe interesim i madh i grave dhe me angazhimin tonë e kemi përfunduar brenda këtyre ditëve”, tha ajo.
Sipas doktoreshës Valmira Bajrami të drejtën për t’u pajisur me protezë të jashtme të gjirit e kanë pasur të gjitha pacientet që kanë kryer ndërhyrje kirurgjike, mastektomi, pas diagnostikimit me kancer të gjirit.
“Të gjitha gratë që janë diagnostikuar nga kanceri i gjirit dhe kanë bërë mastektomi radikale, do të thotë kirurgji, e kanë pasur të drejtë të vijnë dhe të pajisen me pakon onkologjike… Pakoja ka përfshirë një sutjenë, një protezë dhe paruke, ndonëse për paruke nuk ka pasur shumë interesim dhe paruke kemi ende 7 pako të mëdha, të cilat në vazhdimësi do t’i shpërndajmë për personat e interesuar”, deklaroi Bajrami.
Bajrami potencoi se përdorimi i një proteze të gjirit ndihmon që pacientet e prekura nga kanceri i gjirit të shmangin problemet e tjera shëndetësore që mund të shfaqen si pasojë e heqjes së njërës gjëndër të gjirit.
“Në momentin kur hiqet njëri gji atëherë e kemi një peshë jo të drejtë, jo të barabartë të trupit të të dyja anëve dhe te këto raste kemi shumë shpesh probleme që vijnë si pasojë e heqjes së gjirit, sikurse është krijimi i skoliozave, krijimi i kifozave, problemet muskulare të qafës dhe shpinës. Ato gra kanë predispozitë të qëndrojnë më të kërrusura duke tentuar të fshehin pjesën jo të barabartë të gjoksit dhe problemet që i trajton fizioterapia janë shumë të shprehura në mungesë të njërit gji. Në momentin kur pacientet pajisen me protezë dhe pesha e trupit balancohet në të dyja anët, ato fillojnë të kenë qëndrim më të drejtë, ta ruajnë nga problemet e mundshme shoqëruese. Është një pajisje që parandalon problemet shoqërore që mund të vijnë pas mastektomisë”, tha Bajrami.
Bajrami thotë se mbështetja e grave të prekura me kancer të gjiri me pako onkologjike ndikon pozitivisht edhe në aspektin e tyre moral.
“Mbështetja me këto pako është më se e rëndësishme, sepse iu rikthen vetëbesimin dhe moralin si rezultat i mbështetjes nga të gjitha profilet e ndryshme me këtë patologji. Është e rëndësishme edhe për pjesën fizike dhe pamjen e jashtme, sepse pacientet kanë një vetëbesim më të madh për përditshmërinë kur ato kanë një pamje jo të ndryshme”, shprehet Bajrami.
Gjatë këtij viti sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi, janë regjistruar mbi 320 raste të reja me kancer të gjiri./kp/Katror.info













