Të gjithë këto objekte që shihni, janë rigjetur falë operacioneve policore, pasi rezultonin të vjedhura. Gjithçka që rigjehet pas denoncimeve, ruhet në fondin e Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, ku deri më tani numri i objekteve të sekuestruara ka shkuar në më shumë se 600.
Të gjithë objektet të cilët identifikohen prej ku janë marrë, rikthehen në vendin e origjinës, siç janë këto 10 ikona të vjedhura nga Kisha në Labovën e Kryqit në Gjirokastër.
Por ka edhe objekte të tjera që edhe pse janë identifikuar nuk mund të kthehen pasi janë tjetërsuar. Rasti më i keq, është kthimi i ikonostasëve në dollapë, të cilët dilnin në shitje me çmime të kripura.
“Kemi derën e kishës së Shën Kollit në Fier e cila është transformuar në dollap, apo pjesë nga ikonostasi i Kishës së Shën Thanasit në Karavasta e cila është transformuar në mobilje”, tha Anxhela Hoxha, specialiste në IKRTK.
Ato që kanë rënë më shumë pre e vjedhjeve dhe vandalizmit, janë objektet e kultit, dhe kryesisht veprat e artit pamor, apo objekte arkeologjike nga kërkime të paligjshme.
“Institucionet fetare në Shqipëri nuk është se kanë një dokumentim ose ruajtje shumë të mirë dhe bien më lehtë pre e këtyre trafikimeve”, tha specialistja.
Por ka edhe raste, të veçanta kur koleksionues, kanë renë pre e mashtrimeve, dhe kanë blerë me çmime të majme, objektet që shiten si origjinale.
“Kjo në fakt është thjesht një imitim në një letër të printuar që krijon idenë se është objekt origjinal”, tha Hoxha.
Ndërsa për të gjithë objektet që nuk identifikohet vendi i origjinës do të mbesin në fondin e IKRTKS, që në një plan afatgjatë synon të krijojë edhe një muze me objektet e sekuestruara./Katror.info