Në Prishtinë ka nisur programi ndërministror “Arti në Shkolla”, që do të realizohet me prezantimin e veprave artisitike para shkollarëve të komunës së Prishtinës.
Kështu njoftoi edhe ministri Hajrullah Hajrulla Çeku në një postim në rrjetet sociale.
“Baresha” e Rexho Mulliqit, “Malësorja” e Lorenc Antonit dhe “Loja” e Valton Beqirit, u prezantuan sot nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës para fëmijëve të katër shkollave të Komunës së Prishtinës.
Me këtë koncert të veçantë, programi ndërministror “Arti në Shkolla” filloi shtrirjen në Prishtinë. Po identifikojmë artistë të ardhshëm dhe po nxisim pasionin për artin e kulturën tek nxënësit,” shkroi Çeku.
Programi ndërministror “Arti në shkolla” është program institucional, i cili synon edukimin kulturor të të rinjve në arsimin parauniversitar, si mjet për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror të vendit.
Ky bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e mbështetur edhe nga Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila do të ndihmojë komunat në zbatimin e tërësishëm të këtij programi, parasheh që të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta të ndërveprojnë në nivel praktik me artin dhe trashëgimin kulturore, duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme shoqërore dhe zhvillimin e industrisë kreative në vendin tonë.
Kujtojmë se pilotimi i programit “Arti në shkolla” nisi me 4 shkolla të komunës së Gjilanit me 200 nxënës të këtyre shkollave. Fillimi i aktiviteteve nisi më 15 maj dhe u përmbyll në qershor për të vazhduar tutje fazën e dytë me numër edhe më të madh të komunave pjesëmarrëse me rreth 1000 nxënës.
Me këtë program parashihet që çdo nxënës të ketë të paktën një aktivitet ekstrakurrikularë gjatë javës./Katror.info