Festivali i Teatrit Shqiptar – MOISIU i bashkorganizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe teatri kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli” u hap mbrëmë.
Nga 16 e deri më 27 nëntor 2022, çdo natë nga ora 19:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup do të paraqiten produksionet teatrore nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Ferizaj, Shkodra, Tetova, Prizreni, Korça, Gostivari e Presheva.
Mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me pjesëmarrjen e 12 trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, gjatë 12 netëve të ardhshme, deri më 27 nëntor publiku shqiptar në Shkup dhe më gjerë do të ketë mundësi të ndjek shfaqet më të mira të produksioneve shqiptare.
Festivali starton me shfaqen “Ivanovi” të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, të autorit Anton Chekhov dhe me regji të Helvin Çulit.
Teatrot kryesorë shqiptarë bashkëorganizojnë festivalin më të madh të teatrove shqiptare nga të trija shtetet. Festivali “Moisiu” është emërtuar në nder të artistit shqiptar me famë botërore, Aleksandër Moisiu.
Ky festival do të jetë i përvitshëm dhe do të organizohet çdo nëntor me rotacion: Shkup, Tiranë, Prishtinë../Katror.info