Sipas të dhënave nga shtëpia e ankandeve Heritage Global Partners, e cila do të mbajë ankandin, oferta minimale është 25 dollarë dhe ofertimi do të fillojë më 12 shtator dhe do të zgjasë dy ditë.
Që kur Elon Musk njoftoi, dhe më pas ndryshoi menjëherë emrin dhe logon e Twitter, shumë komentuan me nostalgji se “ishte më mirë më parë”. Disa refuzuan të përditësojnë aplikacionin celular për ta mbajtur “zogun e kaltër” në ekran për sa më gjatë të jetë e mundur, ndërsa të tjerë thanë se nuk donin të ishin pjesë e platformës X, shkruan Katror.info.
Të gjithë ata nostalgjikë që duan të mbajnë një pjesë të Twitter përgjithmonë tani kanë një mundësi.
Përkatësisht, Musk vendosi të nxjerrë në ankand një mori artikujsh me logon e Twitter. Midis 584 artikujve janë pjesë të ndryshme mobiljesh të zyreve, kafaze të mëdha dekorative zogjsh, piktura me vaj fotografish që u bënë virale në Twitter, instrumente muzikore, aparate kafeje, frigoriferë, pjatalarëse, madje edhe tabela që ishin (ose janë ende) në selinë e kompanisë.
Një nga artikujt më interesantë është logoja që qëndron ende në një ndërtesë në San Francisko. Siç thotë përshkrimi “zogu është ende i ngjitur në anë të ndërtesës”. Kushdo që vendos të blejë atë shenjë do të duhet të sigurojë një kompani të licencuar dhe të gjitha lejet e nevojshme për heqje.
Kujtojmë se kur Musk dërgoi vetë një ekip për të hequr tabelën nga ndërtesa, qyteti i San Franciskos ndaloi të gjithë punën për shkak se nuk ishin marrë lejet e nevojshme.
Ndër pikturat që do të dalin në shitje është një foto e vajit në pëlhurë e bërë nga Bradley Cooper gjatë ndarjes së çmimeve Oscar në vitin 2014 dhe e postuar në profilin e Ellen Degeneres, e cila ishte fotoja më e shpërndarë në Twitter.
Sipas të dhënave nga shtëpia e ankandeve Heritage Global Partners, e cila do të mbajë ankandin, oferta minimale është 25 dollarë dhe ofertimi do të fillojë më 12 shtator dhe do të zgjasë dy ditë.
Ndërsa kjo mund të duket si një mundësi e shkëlqyer për nostalgjikët dhe koleksionistët e historisë për të siguruar një pjesë të Twitter, ka të ngjarë që Musk po përpiqet të mbledhë më shumë para për ta mbajtur kompaninë në funksion.
Kujtojmë se në fillim të vitit është mbajtur një ankand ku janë shitur disa qindra artikuj nga selia e kompanisë. Statuja e “zogut të kaltër” tërhoqi vëmendjen më të madhe dhe u shit për 100 mijë dollarë./Katror.info