Kryeministri Albin Kurti sot ka pritur në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav.
Në takim, sipas Zyrës së Kryeministrit, u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në vend, rajon dhe Evropë.
“Pjesë e diskutimit ishin edhe të gjeturat e raportit të misionit të vëzhguesve të BE-së, që kanë evidentuar ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë. U theksua se ndërhyrje të këtilla në zgjedhje dhe shpërndarja e dezinformatave përbëjnë kërcënime ndaj demokracisë” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu, sipas njoftimit, me ambasadorin Orav kryeministri Kurti bisedoi dhe rreth fuqizimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 09.02.2025. Numërimi i votave nuk ka përfunduar ende.
Sipas rezultateve ende preliminare të publikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.9% apo 345,760 vota, PDK 22.04% apo 186,302 vota, LDK 17.64 apo 149,095 vota, koalicioni AAK-Nisma 7.46% apo 63,035 vota.
Këto rezultate nuk përfshijnë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. /Katror.info
Përgatiti:
