Futja Ngjyrë, një OJQ që synon t’i bashkojë të rinjtë përmes artit në Mitrovicë, ka filluar një projekt të ri të titulluar ‘Futja Zanat’.
Kjo organizatë joqeveritare është e njohur për aktivizmin e saj në komunen e Mitrovicës, ku përmes “Street Art” kanë renovuar kreativisht shumë hapësira publike të kësaj komune.
Projekti më i ri, ‘Futja Zanat’, i këtij komuniteti të rinjësh ka renovuar një prej hapësirave publike komunale të Mitrovicës, “Fatime Xhaka”.
“Hapësirën publike komunale të Mitrovicës e kemi shndërruar në një vend inovativ ku të rinjtë nga komunitete të ndryshme do të kenë mundësinë që të mësojnë rreth zanateve të ndryshme dhe t’i implementojnë ato në punët praktike, të cilat ua ka gjetur Futja Ngjyrë”, shprehet Dea Gaxha, zhvilluese e projekteve në Futja Ngjyrë.
Projekti ‘Futja Zanat’ ka të bëjë me bashkimin e artistëve të rinj dhe krijimin e hapësirave komunitare të cilat të rinjët mitrovicas mund t’i shfrytëzojnë.
Ky projekt i Futja Ngjyrë ka gjetë mbështetjen financiare të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, dhe ndihmën e komunës së Mitrovicës për sigurimin e hapësirës.
Kjo hapësirë komunitare u inagurua më 14 dhjetor 2023, ku gjatë inagurimit bashkë me aktivistët aktivistet pjesëmarrës ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, si dhe Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Bedri Hamza./Katror.info