Në kuadër të aktiviteteve të EXPO 2025, që po zhvillohet në qytetin Osaka të Japonisë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti fjalimin kryesor gjatë ceremonisë së Ditës së Kosovës.
Në adresimin e saj, Presidentja Osmani risolli në vëmendje Ditën e Çlirimit të Kosovës, që çdo vit shënohet më 12 qershor. Ajo e përshkroi këtë datë si një moment historik që nderon guximin e atyre që luftuan për liri dhe rëndësinë e aleancave ndërkombëtare që qëndruan pranë Kosovës në periudhat më të vështira, transmeton Katror.info.
“Populli ynë u çlirua nga një regjim gjenocidal. Kjo ditë është një kujtesë për sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për lirinë që gëzojmë sot”, u shpreh Osmani.
Duke folur për të ardhmen, Presidentja theksoi se Kosova sot është një shtet demokratik, i drejtuar nga parimet e sundimit të ligjit dhe nga një gjeneratë e re me vizion të qartë euro-atlantik.
Në këtë kontekst, ajo vlerësoi edhe marrëdhëniet me Japoninë, duke theksuar se mbështetja e këtij vendi pas luftës ka qenë themel për ndërtimin e një miqësie të qëndrueshme mes dy shteteve.
“Ndërsa Kosova vazhdon të forcojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare, jemi të përkushtuar të thellojmë më tej bashkëpunimin me Japoninë në të gjitha fushat”, përfundoi Presidentja Osmani në fjalën e saj në Osaka. /Katror.info
Përgatiti:
