Gjatë vizitës zyrtare në Japoni, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Kryeministrin japonez, Shigeru Ishiba.
Ajo e falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e tij në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
”Në Tokio, e falënderova Kryeministrin japonez Shigeru Ishiba për mikpritjen e ngrohtë dhe për përkushtimin e tij për thellimin e partneritetit mes Kosovës dhe Japonisë”, shkroi Osmani në Facebook.
Në këtë takim, të dy liderët diskutuan mundësi konkrete për bashkëpunim dypalësh në fusha të ndryshme. Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një partnere e besueshme, e përkushtuar ndaj paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar vlera që e lidhin ngushtë me Japoninë.

“Në këtë frymë, presidentja riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë përmes investimeve japoneze në industri kyçe.
Në këtë kontekst, presidentja foli për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ndërmjet bizneseve dhe për heqjen e regjimit të vizave për të gjitha pasaportat e shtetaseve të Kosovës, si mënyrë për ta lehtësuar këtë bashkëpunim, gjersa e falënderoi Japoninë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave zyrtare dhe diplomatike”, thuhet në njoftim.
Presidentja gjithashtu vuri theksin te nevoja për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të ndërsjellë, si arsimi, kultura, turizmi dhe inovacioni.
”Populli i Kosovës është gjithnjë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në çdo etapë të shtetndërtimit tonë, integrimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi presidentja Vjosa Osmani.
Në fund, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes japoneze për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për forcimin e pozitës së saj në skenën globale. /Katror.info
Përgatiti:
